Ramiz Lladrovci bën thirrje të mos ndizen zjarre në ambiente të hapura

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, përmes një shkrimi në ‘Facebook’, u ka bërë thirrje qytetarëve të Drenasit që të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura, pasi sipas tij, pyjet e komunës këtë vit janë duke u djegur përtej çdo parashikimi.

“Kërkoj nga qytetarët, udhëheqësit e fshatrave, kryefamiljarët, mësuesit, arsimtarët dhe intelektualët, si dhe të gjithë personalitetet e komunës tonë me ndikim në vendbanimet e tyre, të ndikojnë për vetëdijesimin e bashkëqytetarëve tanë, për rrezikun nga zjarret”, ka shkruar Lladrovci në ‘Facebook’.

Ai ka shtuar se gjendja e pandemisë është një fatkeqësi që ka goditur dhe nuk ka nevojë edhe për goditje të tjera.

“Falënderoj zjarrfikësit, institucionet e nivelit lokal si dhe organet e rendit për kontributin e secilit për luftimin e vatrave të zjarrit.Zjarrin e shkaktojnë keqbërësit. Mos u bëni keqbërës. Mos ndiz zjarr në natyrë”, thuhet në fund të shkrimit të Lladrovcit.