Ramiz Kelmendi. Foto: Facebook

Ramiz Kelmendi nuk kandidon për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka njoftuar se nuk do të kandidojë për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.

Ai këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook duke u arsyetuar në çështje shëndetësore.

Në mandatin e kaluar, Kelmendi ka qenë deputet i LDK-së ndërsa dy mandate më herët ishte zgjedhur deputet edhe përmes AAK-së dhe PDK-së.

Postimi i plotë Ramiz Kelmendit:

Pas realitetit të ri për të cilin ju kam informuar sot, kam pranuar oferta mese serioze për rrugëtim të mëtejmë politik dhe i kam konsideruar lartë.

Në këtë mes dua që sinqerisht dhe përzemërsisht të falënderojë jo veç për ofertat, por edhe për vlerësimin, garancat dhe gatishmërinë për të më dhënë besimin e projektit ekonomik për Kosovën, z.Kadri Veseli – Kryetar i PDK-së dhe i Kuvendit dhe z.Ramush Haradinaj – Kryetar i AAK-së dhe kryeministër në detyrë.

Në mbrëmje kam pranuar këtu, raportin personal shëndetësorë nga Turqia, ku mjekët specialist më referojnë që shëndeti im kërkon të mbahet stabil dhe nën kontroll në kontinuitet. Pozita ime shëndetësore, referuar mjekëve turq, kërkon regjim të qetë, larg aktiviteteve që nxisin stres dhe kërkojnë energji të dyfishuar, ndaj dhe me këtë më pamundësohet pjesëmarrja aktive në jetën politike.

Unë mbetem pranë kontributit për zhvillim ekonomik të Kosovës.