Ramadan Muja - Ish Kryetar i Prizrenit

Ramadan Muja dëshmitar në gjykimin për objektin 13 kat pa leje

Ramadan Muja, ish- kryetar i Prizrenit do të dalë para gjykatës si dëshmitar në gjykimin për ndërtimin e objektit 13 katësh pa leje.

Ish – kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja do të ftohet si dëshmitar para Gjykatës së Prizrenit në gjykimin e inspektorit të ndërtimtarisë Enver Bytyqi.

Enver Bytyqi po akuzohet për mos rrënimin e objektit banesor 13-katësh, i ndërtuar pa leje.

Ramadan Muja u propozua si dëshmitar nga mbrojtësi i të akuzuarit avokati Arben Shala, e bashkë me ish – kryetarin Ramadan Muja, si dëshmitarë u propozuan edhe tre ish – drejtorë të tij, Bedri Bytyqi, Bujar Hasani si dhe ish – drejtori i Urbanizmit Nijazi Kryeziu.

Megjithëse prokurori Mehdi Sefa, ka kundërshtuar këtë propozim gjyqtarja e aprovoi  dhe për seancë e ardhshme si dëshmitar do të ftohen ish – kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, dhe dëshmitarët tjerë të propozuar sipas mbrojtësit.

Si dëshmitar do të ftohet edhe investitori Feim Hamiti, që ka kryer punimet në objektin 13 katësh pa leje, i cili është i bashkëakuzuar me inspektorin Enver Bytyqi.

Feim Hamiti akuzohet se me datë tre qershor të vitit 2017, ka hequr dhe ka dëmtuar vulën zyrtare të vendosur nga zyrtari i autorizuar me qëllim të sigurimit të objektit

Feim Hamiti është shpallur fajtor dhe është dënuar me 6 muaj burgim, por i njëjti i është zëvendësuar me gjobë në vlerë prej 7 mijë eurove, pasi që i njëjti kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Muja kishte qenë dëshmitar edhe në gjykimin e ish- drejtorit të Inspektoratit Buajr Nerjovaj, i cili akuzohej për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar lidhur me mos rrënimin e hoteleve pa leje në zonën e shatërvanit në Prizren.

Në fund Nerjovaj ishte dënuar me  burgim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

Ramadan Muja edhe vetë u përball me në proces të gjatë gjyqësor.

Që nga viti 2013 ndaj tij është ngritur aktakuzë. Së fundmi në dhjetor të viti 2018 Gjykata e Gjilanit e ka gjetur fajtor Mujën dhe e ka dënuar me dënim unik me burgim prej 12 muajve me kusht që brenda dy viteve mos të kryej vepër të re penale.

Dënohet Ramadan Muja