Rama u bën thirrje shqiptarëve në Maqedoni të Veriut për t’u regjistruar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u është bashkëngjitur të premten thirrjeve të javëve të fundit për t’i mobilizuar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, të parin pas dy dekadash tensionesh etnike në këtë republikë.

“Nuk ju kërkohet të merrni pushkën, shyqyr Zotit, dhe të dilni në mal. Nuk ju kërkohet të merrni lopatën dhe të dilni në fushë,” u apeloi kryeministri Rama shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në prag të fillimit të regjistrimit të popullatës që do të bëhet në periudhën 1-21 prill, duke u bërë thirrje që një obligim të tillë ta kryejnë në formë elektronike.

“Uluni dhe kryeni betejën tuaj të vogël!” bëri thirrje Rama duke ngritur pranë ekranit një letër mbi të cilën shkruante adresa e uebfaqes ku duhet bërë regjistrimi.

Sipas Ramës, numri i shqiptarëve të regjistruar në Maqedoninë e Veriut, që shpesh është politizuar dhe si shënjestër ka pasur dekurajimin e popullatës shqiptare për ta tkurrur praninë e tyre kushtetuese dhe politike, do të jetë përcaktues për fuqinë që shqiptarët do ta kenë mbi vendimmarrjen dhe pjesëmarrjen në atë shtet.

“Miq, ne shqiptarët kemi një defekt të madh. Nuk vlerësojmë peshën e madhe të një zinxhiri gjërash të vogla. Për pasojë, duke menduar vetëm për fitore të mëdha, ne i humbim shpesh ato betejat e vogla që një kombi i madh i fiton përditë si bukën që ha,” theksoi Rama.

“Kësisoj ka ndodhur jo rrallë që ne pastaj jemi zgjuar me vonesë duke i paguar kostot të mëdha humbjeve të vogla në të përditshmen tonë. Nëse ju do ta humbni këtë betejë kaq të vogël… nesër kostoja e kësaj humbje për krejt popullsinë shqiptare në shtëpinë e shtetit maqedonas do të jetë shumë e madhe.”

Në video mesazhin e transmetuar në llogaritë e kryeministrit në rrjetet sociale, Rama lavdëroi afirmimin identitar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por edhe tërhoqi vërejtjen për neglizhencën e komunitetit shqiptar ndaj regjistrimit të popullatës si rrezik që mund t’i hakmerret një përparimi të tillë.

Sipas tij, regjistrimi masiv i shqiptarëve në Maqedoni të Veriut ka për qëllim të mbrojë popullsinë shtetformuese shqiptare në këtë shtet, kauzë kjo me armiq “që nuk lanë dy gurë bashkë për ta lënduar kauzën e identitetit dhe dinjitetit shqiptar në atë shtet”.

“E mira nuk ka fund dhe asnjëherë nuk është mjaft. Por, mjafton të kthejmë kokën pas, jo shumë larg në kohë, veç disa vite më parë, për të parë se çfarë hapash të mëdhenj dhe vendimtar keni hedhur në afirmimin e identitetit dhe dinjitetit shqiptar në atë republikë, ku deri dje shqiptari trajtohej si kategori e dytë edhe pse pa popullin shqiptar nuk ka shtet të Maqedonisë së Veriut,” deklaroi kryeministri Rama. Rel