Rama u bën thirrje ndërtuesve të mos i shmangen përgjegjësisë

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë që drejton, i ka paralajmëruar sërish të gjithë ndërtuesit që të marrin përgjegjësitë që ju takojnë.

Ai tha se ka pranuar mesazhe nga disa prej tyre se nuk mund të ndihmojnë asgjë pasi janë të falimentuar, por kryeministri shtoi se kjo nuk i arsyeton.

“I bëj thirrje të gjithë ndërtuesve publikisht që të mos i shmangen përgjegjësisë. Mos gënjejnë veten se me shpresën se kjo gjë mund të kalojë pa u lagur. Disa prej tyre më kanë çuar mesazh duke nxjerrë lloj-lloj bishtash, por më ka bërë përshtypje arsyetimi se jemi të falimentuar, të shesin shtëpitë e tyre, të marrin kredi, të bëjnë çfarë të duan, por liria është më e shtrenjtë se pasuria dhe nëse nuk reagojnë me humanizëm dhe përgjegjshmëri mund t’i humbin të dyja”, tha Rama.

Ai uroi që prokuroria e përgjithshme të bëjë të gjithë punën e nevojshme për të identifikuar përgjegjësitë përkatëse.

Rama përsëriti se të gjitha shtëpitë do të rregullohen, ndërsa ka kërkuar që Tirana dhe Durrësi të dekorohen dhe ndriçohen për festat e fundvitit, bile më bukur se viteve të kaluara.

Rreth orës 04:00 të mëngjesit të 26 nëntorit, Shqipërinë e goditi tërmeti me magnitudë 6.3 shkallë të rihterit me epiqendër në Tiranë. Ky tërmet dridhi edhe Kosovën, me lëkundje që u dëgjuan edhe në vendet tjera si Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Bullgaria dhe Italia.

Mbi 51 njerëz kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar si pasojë e tërmetit./21Media