Rama thumbon Kurtin e Mustafën: Ndarja e karrigeve ka më shumë rëndësi se Kosova e mbetur në udhëkryq

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kritikuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin si dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën, për kundërshtimin e tyre ndaj ‘Mini-Schengenit ballkanik”.

Përmes një video të postuar në Facebook, Rama ka thënë që për Kurtin e Mustafën më shumë ka ‘rëndësi ndarja e karrigeve se Kosova pa qeveri’

“Schengeni Rajonal nuk është një Jugosllavi e re, siç thonë ata që nuk bëjnë dot as një qeveri me dy parti, në Kosovën që e duan aq shumë. Sepse mesa duket kur vjen puna te bashkimi i forcave për ta qeverisur mirë Kosovën, ndarja e karrigeve ka më shumë rëndësi se Kosova e mbetur në udhëkryq, pa strategji e pa qeveri”, tha Rama.

Sipas kryeministrit shqiptar, Kurti dhe Mustafa ndonëse nuk kanë mundur të bashkohen për të formuar qeverinë, janë bashkuar për të ‘dezinformuar’ publikun për projektin e ‘Mini-Schengenit ballkanik”.

“Po shyqyr janë të bashkuar bukur mirë, pa dallim partie e madje edhe me do ustallarë në Tiranë, për ta hedhur Kosovën kundër “vëllait të Vuçiqit” në Shqipëri, duke ia prishur gjakun dhe errur sytë njerëzve në Kosovë, me dokrra patetike e me rrena patriotike”, tha ai.

Edi Rama është kritikuar edhe për “Mini-Schengenin” pjesë e të cilit nuk është Kosova, për shkak të pjesëmarrjes së Serbisë në këtë forum.Në mbledhjen parë të këtij forumi, i mbajtur në Novi Sad, nuk ishte ftuar Kosova.

Për këtë ka reaguar edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, kandidati i mundshëm për kryeministër, Albin Kurti. Ai ishte deklaruar për takimin e fundit në Shqipëri për nismën e “Mini-Schengenit” ballkanik, të liderëve të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Kurti përmes një publikimi në Twitter ka shkruar se parimet e gjithëpërfshirjes dhe reciprocitetit duhet të udhëheqin iniciativat rajonale.“Rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon nëpër Prishtinë. Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të na hyjë në mes. Ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim e jo konfrontim!”, ka shkruar Kurti.

Liderët e tri vendeve ballkanike, Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandar Vuçiq, në nëntor arritën ujdi rreth projektit për ‘Mini-Schengenin ballkanik”.

Kryeministri i Shqipërisë, ai i Maqedonisë së Veriut dhe presidenti i Serbisë nga Ohri kanë përçuar mesazhin e përmbajtjes së marrëveshjes, e cila, sipas tyre ngërthen katër liritë e Bashkimit Europian: lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.

Edi Rama u shkruan kosovarëve që e kritikuan për ‘Mini-Shengenin’