Rama thumbon Bashën: PD-ja bëri fushatën më të mirë në historinë e humbjeve të tyre

Edi Rama me rastin e shpalljes së fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit ka thumbuar rivalin e tij politik, kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Lulzim Basha dhe Partia Demokratike bënë fushatën më të mirë në historinë e humbjeve të tyre. Ata ishin më skuadër se në të gjitha herët e tjera. Demokratët ishin kundërshtarë jo dhe aq të lehtë këtë herë”, tha Rama në sheshin “Skenderbej” në Tiranë.

Ai tha se e ka një mesazh të sinqertë për kreun e PD-së, Lulzim Bashën.

“Pranoje humbjen me dinjitet dhe me bindjen se nuk bëre dot çfarë deshe, por bëre gjithë sa munde”, shtoi Rama, duke theksuar se e kanë të qartë që opozita e tyre e vetme është PD-ja.

Megjithëkëtë, kreu i socialistëve tha se “fitorja jonë e madhe nuk na e bënë më të vogël, por më të madh detyrimin që t’i shtrijmë dorën e një bashkëpunimi konkret PD-së”.

“Unë dua të jem kryeministër i të gjithë shqiptarëve”, tha Rama.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së në Shqipëri deri në orën 19:00, PS-ja ka fituar 48.64% të votave nga numërimi i 5,090 qendrave të votimit nga 5,199 gjithsej.

Kurse PD-ja ka marrë 39,46% të votave.