Foto: Malton Dibra/ LSA

Rama sulmon ndërkombëtarët për akuzat ndaj udhëheqësve të UÇK-së për krime lufte

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shprehu indinjatën e tij kundër aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe disa të tjerëve, të akuzuar për krime lufte, duke e konsideruar aktakuzën si një sulm ndaj Kosovës, shqiptarisë dhe trashëgimisë së luftës së UÇK-së.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përdori foltoren e Kuvendit të Shqipërisë të enjten për të shprehur atë që e cilësoi si “indinjatë të tij” ndaj aktakuzave kundër disa prej udhëheqësve të Kosovës, të cilët do të duhet të përgjigjen për dyshimet se janë përgjegjës për zhdukjen, rrëmbimin apo vrasjen e rreth 100 personave, serbë, romë dhe shqiptarë kundërshtarë politikë.

Rama njoftoi se do të mbajë një fjalim në mbrojtje të Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë në Facebookun e tij të mërkurën menjëherë pas publikimit të lajmit për aktakuzën ndërsa sulmoi ndërkombëtarët për atë që e cilësoi si trajtim i pabarabartë i Kosovës në raport me Serbinë.

Rama iu referua deklaratës së prokurorisë për akuzën si një “njoftim ku nuk është se hidhet një baltë thjesht mbi Thaçin apo Veselin e UÇK por mbi vetë Kosovën e shqiptarinë.”

Sipas tij, aktpadia “ngre një varg pikëpyetjesh të rënda, jo vetëm në lidhje me pastërtinë e figurës po vetë kauzën.”

Zyra e prokurorisë së Gjykatës Speciale të Kosovës me bazë në Hagë publikoi një njoftim të shkurtër ditën e mërkurë në të cilin njoftoi ngritjen e aktakuzave ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, politikanit Kadri Veseli e personave të tjerë.

Njoftimi thotë se aktakuza është dorëzuar në gjykatë më 20 prill 2020 dhe se ajo aktualisht po vlerësohet nga një gjyqtar për të vendosur nëse akuzat duhet të konfirmohen dhe të akuzuarit të thirren që të përballen në gjyq. Por prokurorët thonë gjithashtu në njoftim se kanë vendosur ta bëjnë publik këtë fakt për shkak se besojnë se Thaçi dhe Veseli kanë qenë duke punuar për të bllokuar punën e prokurorisë.

“Prokurori ka konsideruar të nevojshme të publikojë këtë njoftim publik të akuzave për shkak të përpjekjeve të përsëritura nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli për të penguar dhe minuar punën e gjykatës,” thuhet në njoftim.

“Z. Thaçi dhe z. Veseli besohet se kanë ndërmarrë një fushatë sekrete për të anuluar lijgin që krijon gjykatën dhe për ta penguar punën e Gjykatës në përpjekje për t’u siguruar se nuk do të përballen me drejtësinë,” thuhet në njoftim.

Disa ekspertë besojnë se fushata sekrete në fjalë lidhet me një takim që ishte planifikuar të zhvillohej në Uashington me ndërmjetësimin e administratës së Presidentit Trump mes Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje finale këtë fundjavë. Aludohet se përmes një marrëveshjeje të tillë, Thaçi do të kishte mundësi të shfuqizonte ligjin e parlamentit të Kosovës që autorizon funksionimin e gjykatës speciale.

Marrëveshja është diskutuar tashmë prej shumë muajsh dhe është shoqëruar me akuza të nxehta si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili është përballur më herët me akuzat për krime lufte dhe ka dalë i pafajshëm, akuzoi në një rast Thaçin dhe Edi Ramën se po planifikonin marrëveshje për shkëmbim territoresh me Serbinë. Rama mohoi një akuzë të tillë dhe ka paditur Haradinajn për shpifje në Gjykatën e Prishtinës. Haradinaj e ka konsideruar padinë e Ramës një fshehje pas dramave mediatike/Reporter.al/.