Rama: Sot të drejtat e shqiptarëve janë më të avancuara se sa kanë qenë ndonjëherë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se të drejtat e shqiparëve janë më të vancuara dhe më të pranuara, se që kanë qenë ndonjëherë.

Duke folur në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve, Rama tha se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë në raport me të huajt, por që tha se nuk beson që shqiptarët janë më mirë në raport me vetveten.

“Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë në raport me të huajt, por përsëri edhe sot nuk besoj që shqiptarët janë më mirë në raport me vetveten. E t’i kthehemi pamjes së sotme të Kosovës, krahasuar me jo shumë vite më parë dhe nuk besoj që do të ishte shumë e ndershme që të shtyheshim dhe të thoshim po ne e kishim imagjinuar, që në 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Kosova do të ishte e lirë, sovrane dhe pavarësia e saj do të ishte përfundimtare” – tha Rama.

Tutje, kryeministri shqiptar tha se nuk besoj që Kosova do të presë aq shumë, për tu njohur përfundimisht dhe ndërkombëtarisht nëpër botë.

“Marrëdhëniet e Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë më thjesht të shkëlqyera, por janë edhe produktive më shumë se që kanë qenë dhe këto e tregojnë faktet, nga vullneti dhe nga rritja e aftësisë, për ta zbatuar në praktikë bashkëpunimin në interes reciprok” – tha Rama.

“Pavarësisht të  gjitha llafeve, në fillim të vitit të ardhshëm ne fillojmë dhe hapim garen ndërkombëtare për portin e ri të Durrësit, i cili do të ndërtohet në Porto Romano, në fillim të gjashtëmujorit të dytë të vitit të ardhshëm, do të jemi në kantierë në portin e ri. Do të jetë një port i përbashkët nga Durrësi në Prishtinë, që do të lidhen me hekurudhë”.

Për herë të parë në histori, Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë po mbajnë mbledhje të përbashkët, për të shënuar 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.