Rama: Shqiptarët dhe serbët janë për Ballkanin si francezet e gjermanët për Evropën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se populli shqiptarë dhe ai serb për rajonin e Ballkanit janë sikur gjermanët dhe francezët për Evropën.

Këtë deklaratë Rama e bëri gjatë konferencës së përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov në kuadër të takimeve për nismën “Ballkani i Hapur”.

“Me japin leksione herë pas here për Gjermanin dhe Francën. Shqiptarët dhe serbët janë për Ballkanin siç janë gjermanet dhe francezët për Evropën. Ua kemi borxh gjeneratave të reja që të bëjmë për Ballkanin. Gjermania dhe Franca nuk e filluan nga fundi, por nga bashkëpunimi ekonomik”, tha Rama.

Duke e përdorur fjalën vende, e jo shtete, ai theksoi se të gjithë pa dallim, janë të ftuar për t’u bashkuar me nismën dhe të punojnë bashkë.

Edhe nikoqiri i Ramës në këtë takim, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tek ka folur për mundësinë e zgjerimit të numrit të pjesëmarrësve në nismën “Ballkani i Hapur, nuk ka përmendur emrin e Kosovës, por vetëm të kryeqytetit të Republikës, Prishtinës.

“Ne do t’i zgjidhim marrëdhëniet tona me Prishtinën përmes dialogut në Bruksel sepse kemi pikëpamje të ndryshme por ‘Ballkani i Hapur’ u jep liri njerëzve. Kushdo që është i interesuar është i mirëpritur”, tha ai.