Rama: Shqipëria nuk ndalet së luftuari për pastërtinë e luftës së UÇK-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkëputur një pjesë të fjalimit të tij lidhur me Kosovën, të cilin e ka mbajtur dje në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara.

“Shqipëria nuk do të ndalet së luftuari për pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës dhe rishikimin e Rezolutës së Këshillit të Europës në mbështetje të raportit famëkeq të tregimtarit Dick Marty!”- tha Rama.

Në fjalimin e tij Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur dështim monumental të politikës ndërkombëtare formimin e Gjykatës Speciale për Kosovën.

Ai ka thënë se gjykata ishte formuar me pretekstin për trafikim të organeve e që për këtë gjë nuk është gjetur asnjë dëshmi.

“Në vitin 2011 Këshilli i Evropës miratoi një raport të përpiluar nga një europarlamentari  Dick Marty, që akuzon Ushtrinë Clirimtare të Kosovës për trafikim të organeve. Zoti Marty do të duhej të ishte paguar si tregimtar, por kurrë të besohej si raportues i Këshillit të Evropës” – tha Rama.

Sipas Ramës, raporti ishte bërë si propagandë kundër pavarësisë së Kosovës.

” Raportimi i tij ishte shokues dhe jo shumë persona e besuan atëherë, por u bë faktori kyq në themelimin e Gjykatës Speciale për Kosovën. U bë një prej rasteve më të këqija të realitetit te shtrembëruar,  një lloj manifesti për propagandë kundër pavarësisë së Kosovës” – shtoi Rama.

Rama, po ashtu në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara i ka bërë thirrje Serbisë të njoh pavaresinë e Kosovës.

Ai shtoi se kjo thirrje vlen po ashtu për të gjitha ato vende që nuk e kanë bërë ende këtë gjë.

“Shqipëria nuk do lëvizë asnjë centimetër nga qëndrimi për njohje të pavarësisë së Kosovës, nga të gjitha ato vende që ende nuk e kanë bërë, përfshirë Serbinë. Tani është koha për Kosovën dhe Serbinë të punojnë në dialog për një marrëveshje gjithëpërfshirëse” – deklaroi Rama.