Ramush Haradinaj e Edi Rama - Foto: REL/AP

Rama: Ramushi ktheu shpifjen në pushkë që kur ka lënë pushkën

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një emision televiziv në Top Channel i thelloi akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama me pretendimin se shefi qeverisë shqiptare ka tentuar ndarjen e Kosovës.

Ndërsa kryeministri shqiptar, Edi Rama, reagoi në lidhje me qëndrimet e Haradinajt.

Rama për Top Channel deklaroi se Haradinaj e ka kthyer shpifjen në pushkë, që kur e ka lënë pushkën.

“Ramushi e ka kthyer shpifjen në pushkë qëkur ka lënë pushkën! Por nëse për pushkën i’a kam bëre të gjitha nderimet e mundshme dhe të merituara, për shpifjet nuk mund t’i bëj asgjë tjetër përveçse ta ftoj në gjykatën e Kosovës që t’u dalë për zot atyre që ka nxjerrë nga goja! Sepse ndryshe nga Ramushi dhe nga ai soj politikanësh qe s’kanë fijen e respektit as për fjalën, as për të vërtetën, as për publikun, unë nuk ulem dot në nivelin e shpifësit publik për ta luftuar berllogun me berllog”, citohet të ketë thënë Rama.

Ai gjithashtu ka thënë se pafytyrësi nuk është të shkosh në gjykatë dhe të mbrohesh nga një shpifës, siç e ka quajtur Haradinajn, për të cënuar publikisht dinjitetin.

“Nuk është akt i turpshëm t’i nënshtrohesh gjykimit të drejtësisë si viktimë e një shpifësi që të sulmon si tradhtar të kombit me fabrikime të ulëta, po turp është të bësh agresorin ndaj dikujt tjetër për të manipuluar opinionin publik duke fabrikuar gjëra krejt të paqena”, ka deklaruar Rama.

Rama po ashtu ka thënë se e rrespekton figurën e Haradinajt si komandant të UÇK-së, por jo atë të politikanit të sotëm.

“E vërteta është se unë kam dashur ta ndaj Kosovën, po aq sa ç’ka dashur Ramushi ta ndajë Princ Harryn nga Familja Mbretërore”, ka deklaruar kryeministri shqiptar për Top Channel.