Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Rama: Rajoni nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i së shkuarës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Forumin Ekonomik për bashkëpunim rajonal që po mbahet në Shkup, ka thënë se rajoni nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i së shkuarës.

“Kjo nismë është gjëja e duhur dhe jo vetëm se është gjëja e duhur, por ndryshe nga çfarë predikojnë disa është edhe e vonuar. Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i së shkuarës në asnjë aspekt dhe kush nuk e kupton akoma se sa të vegjël jemi, të ndarë për të rritur ekonomitë tona, për të hapur më shumë perspektivë me vende punë të mirëpaguara sidomos për të rinjtë, është i dënuar të jetojë në të shkuarën”, tha Rama.

Ai tha se nisma në fjalë synon jetësimin e katër lirive themelore të Bashkimit Evropian.

“Ne duam të projektohemi në të ardhmen përmes një nisme e cila nuk shpikë asgjë të re, por thjeshtë sjell në këtë rajon një shembull kuptimplotë që është shembull i BE-së, duke synuar jetësimin e katër lirive themelore të BE-së: Lirinë e lëvizjes së njerëzve, lëvizjes së mallrave të kapitaleve dhe lëvizjes së shërbimeve”, shtoi ai.

Rama tha se nuk e kupton se për çfarë mendohen Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina që nuk po bëhen pjesë e kësaj nisem dhe shtoi se për Kosovën e di arsyen.

“E di për çfarë mendohet Kosova dhe në këtë pikë jam absolutisht me një qëndrim të kundërt, sepse për mua të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi”, tha ai.

Në këtë ngjarje nuk po merr pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka kundërshtuar idenë e “Mini-shengenit Ballkanik”, emër ky që tashmë është ndërruar në nismën e fundit.

Rama tha se nuk kanë pse presin që integrimin e rajonit ta bëjnë pasi të kenë hyrë në BE duke shtuar se “ne duhet dhe do ta bëjmë tani”.

“Sa herë duhet ta përsërisim se kjo nuk është një nismë ekskluzive e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sa herë duhet ta përsërisim që kjo është një nismë e hapur për të gjithë, që cilido që dëshiron të na bashkohet është i mirëpritur, por ne nuk mund të presim konsensus për t’u takuar nga të gjithë. Sepse ne nuk kemi marrë përsipër të bëjmë një karikaturë ballkanike të BE-së këtu dhe çohet njëri dhe thotë: unë vë veto ju s’duhet të takoheni, ose çohet tjetri thotë: unë vë veton ju duhet të nënshkruani këtë ose atë”, deklaroi ai.

Rama shtoi se “çështjet e pazgjidhura në Ballkanin Perëndimor duhen zgjidhur”.

Në këtë forum përveç kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, po marrin pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.