Rama: Procesi absurd ndaj Thaçit do të vulos pastërtinë e UÇK-së

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi.

Ai ka shkruar se Thaçi ka gjithë mbështetjen e Shqipërisë në këtë betejën, duke e quajtur proces absurd aktakuzën ndaj tij.

“Hashim Thaçi ka gjithë mbështetjen e solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën dhe për drejtësinë e pacenueshme të Luftës Çlirimtare! Procesi absurd ndaj tij do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj”, ka shkruar Rama.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara.

Pas njoftimit për ngritjen e aktakuzës nga ana e Speciales në qershor të këtij viti, Thaçi ishte zotuar se do të jap dorëheqje nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet.

“Ashtu siç kam premtuar, nuk do te lejoj që para gjyqit të dal presidenti. Unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Ftoj forcat politike të dëshmojnë maturinë që kërkon koha dhe të mos lejojnë të thellohemi në krizë kushtetuese e institucionale”, tha presidenti në konferencën për media në Prishtinë.