Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rama premton 7 shkolla të reja në Prishtinë e subvencionim të prindërve për dërgimin e fëmijëve në çerdhe

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se në planin e tij qeverisë ka ndërtimin e 7 shkollave në shtatë lagje të kryeqytetit.

“Në do t’i ndërtojmë 7 shkolla në këto lagje: Sofali, Mat, Prishtina e Re, Veternik, Kalabri, Kroi i njelmët dhe në Kodër të Trimave. Në planin tonë kemi buxhetuar 21 milionë euro për ndërtimin e këtyre shkollave. 3 nga to do të përfundojnë brenda 2 vjetëve, 4 të tjera brenda mandatit tonë të parë 4 vjeçar”, ka thënë Rama.

Gjithashtu Rama ka thënë se do të ndërtojnë edhe anekse të shkollave, cilat do të mundësonin që fëmijët në Prishtinë të kenë mësim tërë ditor brenda mandatit të parë të tij qeverisës.

“Po ashtu do të bëjmë ndërtimin e anekseve të shkollave që tashmë janë të buxhetuara. Me këtë plan do të shkarkojmë shkollat nga numri i madh i nxënësve dhe rrjedhimisht do të hyjmë në procesin e mësimit gjithë ditor. Brenda 4 vjetëve, 50% të shkollave do të hyjnë në mësim gjithë ditor”, ka thënë më tej ai.

Gjithashtu, pretendenti për të parin e Prishtinës ka premtuar se do të subvencionojë prindërit me të ardhura më pak se 500 euro në muaj me nga 70 euro në muaj për secilin fëmijë për pagesën e çerdhes.

Sonte, për herë të parë, kandidatët për kryetar të Prishtinës debatojnë mes vete në #DebatPernime.

Kandidatët për kryetar të Prishtinës të cilët do të shpalosin programet dhe planet e tyre për kryeqytetin për katër vitet e ardhshme.

Se si do të duket Prishtina në vitin 2025 do të tregojnë: Arben Vitia nga LVV; Avni Çakmaku nga Fjala; Daut Haradinaj nga AAK; Florim Isufi Partia Balliste; Gëzim Mehmeti nga AKR; Përparim Rama nga LDK dhe Uran Ismail nga PDK.

Kandidatët për të parin e Prishtinës do të përgjigjen përballë Jeta Xharrës për menaxhimin e pandemisë COVID-19, cilat janë planet e tyre për arsim, ambient, kulturë, siguri publike dhe tema të tjera.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës së Prishtinës janë edhe kandidatet për asambliste: Diana Mejzinolli nga LVV; Donjeta Dragusha nga LDK; Dhurata Salihi nga AAK; Eliza Hoxha nga PDK; Figen Shabani nga KDTP; Fiknete Bejta nga AKR dhe Marigonë Tahiri nga Lëvizja për Bashkim.