Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Rama për tollovinë në trafik: Përmirësimi nuk ndodh brenda ditës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama sot ka folur për mediat lidhur me trafikun në komunikacion për shkak të testimeve për shndërrimin e unazës qendrore në qarkore njëkahëshe.

Rama tha që secili ndryshim në fillim ka impakt negativ derisa të realizohet dhe se siç u shpreh ai, pa i bërë këto analiza është e pamundshme të zgjidhet problemi.

“Normal që secili ndryshim ka impakt të madh fillimisht negativ, derisa krijohet pozitivi dhe për këtë arsye krijohen këto gjëra, normal që një numër i madh i qytetarëve ka pasur probleme në trafik sot, mirëpo po them është e pashmangshme nëse ne duam të informohemi rreth lëvizjes së mirë në kryeqytet është e pamundshme që t’i bëjmë këto pa bërë edhe analiza të tilla në terren. Për këtë arsye po them që ne kemi dy ditë e vikendit edhe kjo ditë e javës që ka qenë shumë e nevojshme të bëjme në ditën e premte që është faktikisht ditë shumë e ngjeshur edhe kemi pas probleme, faktikisht kemi pas probleme të mëdha në mëngjes”- ka thënë Rama.

I pari i i Prishtinës tha se ai nuk u afektua nga tollovia në rrugë.

“Unë zakonisht filloj në punën në ora 07:00 kështu që për mua nuk ishte problem, por po e shoh që nga ora 8:00 kur i kemi të gjithë qytetarët që shkojnë në punë ose që i dërgojnë fëmijët nëpër shkolla ose që vijnë prej jashtë me punu në adminstratë, pra është ajo kohë që ka shkaktuar tollovinë më të madhe” – tha Rama.

Ai tregoi që kanë informata për të gjitha pikat e kryeqytetit të cilat ndimojnë në zgjidhjen e problemeve që janë hasur nga projektet e rrugëve të planifikuara.

“Sot kemi informata të shumta prej të gjitha pikave të kryeqytetit, jemi duke incizuar edhe me dron, kemi edhe ekipe në terren që janë duke marrë informatat se si si po ec trafiku dhe ku janë problemet. Kemi projektet që janë më se të nevojshme të rrugës A të rrugës B dhe po ashtu të unazës së mesme që janë pjesë për transformim të kryeqytetit”- potencoi Rama për mediat.

Sipas tij përmirësimi nuk mund të ndodh brenda ditës dhe se  prej testimeve mund të mësohet dhe evitohen problemet.

“Nuk mundet që përmirësimi të ndodh për një ditës ose të shihet a është pozitive ose negative, për këtë arsye është e nevojshme që të merremi me këto planifikime. Ne siç e dimë kemi bërë edhe teste për me testu qendrën si pjese e planeve të mobilitetit ku e kemi bo testimin te shtunën të dielën, kemi bo faktikisht për dy javë, normal para se me marr vendimin duhet me bo testimin edhe gjatë javës, kjo na tregon pikat ku krijojnë problem pikat që duhet me u ndryshu dhe transformu për me kriju një komunikim më të lirë për kryeqytetin edhe për këtë arsye normal është dashur që të testohet edhe gjatë javës”- bëri të ditur ai.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se për të tretën herë do të bëhet testimi njëkahor për automjete i unazës qendrore në kryeqytet.

Sipas njoftimit, testimi do të bëhet nga dita e premte më 28 tetor deri të dielën më 30 tetor.

Ndërsa, rrugët e poshtëcekura do të jenë të mbyllura për automjete, me përjashtim të transportit publik, i cili do të qarkullojë në këtë pjesë me shpejtësi minimale të lëvizjes: Rruga “George Bush” deri te semaforët pranë Katedrales,  rruga “Garibardi” deri te semaforët pranë rrugës ”Dritan Hoxha”.