Rama për fitoren e Zvicrës: Aspak dinjitoze të përdoren dy futbollistë për politikë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se “është për të ardhur keq” pritja që ai të reagonte pas fitores së Zvicrës kundër Serbisë.

Nëse do të reagonte, Rama thotë se do t’i përdorte figurën e futbollistëve Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri për politikë.

“Nuk kuptoj realisht se pse duhej të flisja. Unë s’jam kryeministri i Zvicrës. Jam kryeministri i Shqipërisë dhe nëse do të ndaja nga skuadra kombëtare e Zvicrës dy qytetarë zviceranë që kanë kombësi shqiptare, që janë shqiptarë të cilët ne i shohim me dashuri dhe simpati të madhe për një ndeshje të veçantë, çfarë do të bëja konkretisht? Do t’i përdorja ato dy figura për politikë. Dhe në një mënyrë aspak dinjitoze, për hir të së vërtetës”- tha Rama.

“Sepse është ekipi kombëtar i shtetit tjetër. Dhe do t’i fryeja zjarrit të një nacionalizmi – më falni për shprehjen. Por nacionalizmi është gjithmonë sa qesharak, aq i rrezikshëm. Nuk është e nevojshme. Nuk e shoh fare të nevojshme dhe më duket që kush e bën këtë, nuk e bën gjënë e duhur” – shtoi ai.

Më 2 dhjetor 2022, Kombëtarja e Zvicrës ka eliminuar atë të Serbisë nga kampionati botëror “Katar 2022”.

Ndeshja mes zviceranëve dhe serbëve përfundoi me rezultat 3-2.

Ishte sulmuesi kosovar, Xherdan Shaqiri, i cili shënoi golin e parë në minutën e ’20, me asistim të Djibril Sow.

Në mesin e reagimeve, kryeministri kosovar, Albin Kurti shkroi një postim me përshkrimin “Serbia nuk kalon”.