Foto: VOA

Rama për Berishën dhe Bashën: Unë s’kam asnjë punë me kacafytjen e dy kufomave politike

Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka reaguar pas akuzave që bëri ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, se ai po ndihmon kryetarin e PD-së, Lulzim Basha me njësitë e Policisë së Shtetit.

Rama tha se s’ka punë me Bashën e Berishën duke i quajtur edhe “kufoma politike”.

“Unë s’kam asnjë punë me kacafytjen e dy kufomave politike njëra grata tjetra nongrata që e kanë futur Partinë Demokratike në inceneratorin e marrëzisë së tyre. Policia e Shtetit jo e jo që nuk ka asnjë lidhje me tymin e marrëzisë që po djeg PD. Keqardhje për demokratët e thjeshtë”, shkroi Edi Rama në Twitter.

Nga ana tjetër edhe Policia e Shtetit ka reaguar ndaj deklaratave të Berishës. Policia e Shtetit ka deklaruar se e kryen detyrën e saj komfor ligjit dhe misioni i saj nuk e përfshin kurrsesi ndërhyrjen në çështjet politike apo mes palëve politike.

“Policia e Shtetit nuk ka pasur asnjë trupë të vetme në territorin e asaj partie. Policia e Shtetit nuk ka asnjë lidhje me akuza apo pamje të servirura në media, nga aktorë të caktuar politik dhe mediatik”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit në Facebook.

Lulzim Basha sot mblidhi Kuvendin Kombëtar të PD-së ndërsa Sali Berisha publikoi disa rezultate, që sipas tij, tregojnë shkarkimin e Bashës nga kreu i partisë.