Rama pas vizitës në Hagë: Lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet - VIDEO

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, është deklaruar pas vizitës që i bëri ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë, ku ky i fundit po mbahet në paraburgim.

Rama deklaroi se Thaçin e ka gjetur në ‘top formë’ dhe të bindur më shumë se sa kur e ka takuar përpara, se kjo rrugë ishte e pashmangshme, siç tha Rama, për të provuar para drejtësisë pastërtinë e luftës së UÇK-së.

“Nuk ka shumë për të thënë, natyrisht që të gjithë ne jemi të bindur që lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe nuk mund assesi të futet në korniza të tjera, sepse ajo është tanimë e futur në kornizën e artë të heroizmit, sakrificave, të gjakut të dhënë e natyrisht të gjitha përpjekjeve që kanë vijuar më tej, për Kosovën e lirë, demokratike dhe sovrane”, tha Rama.

Në ndërkohë, sot gjatë paraqitjes së tij në seancën gjyqësore, ish-presidenti Thaçi për akuzat e reja deklaroi se është i pafajshëm duke shtuar se e ka lexuar aktakuzën, por që nuk e ka kuptuar.

“Deklarohem i pafajshëm. Megjithëse lëndën nuk e kam lexuar për këtë arsye dhe nuk e kam kuptuar, por deklarohem i pa fajshëm”, ka thënë Thaçi.

Thaçi për akuzat e reja: Deklarohem i pafajshëm, nuk i kam kuptuar redaktimet e amandamenteve shtesë