Rama pas kërkesës së SHBA-së për heqjen e barrikadave: Kjo flet qartë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se pajtohet me thirrjen e SHBA-ve për tërheqjen e barrikadave të vendosura në veri të Kosovës.

Rama është shprehur kështu derisa ka shpërndarë deklaratën e ambasadave amerikane në Prishtinë e Beograd, për situatën në veri të Kosovës.

“Pajtohem plotësisht. Kjo flet qartë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë”- ka shkruar Rama në rrjetin social “Twitter”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës.

Në një deklaratë të përbashkët të ambasadave të SHBA-ve në Kosovë dhe Serbi, thuhet se “ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i çmontojnë ato menjëherë”.

“E kuptojmë se autoritetet kosovare kanë arrestuar një individ të dyshuar për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj autoriteteve kosovare të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor. Ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale”- thuhet në deklaratë.

Në këtë deklaratë theksohet se SHBa-të presin që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit.

“Ne shprehim vlerësimin dhe mbështetjen tonë të plotë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare” – thuhet më tutje në deklaratë.

“Ne i nxisim palët të punojnë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet shqetësuese”.

Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Këto veprime i ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.

Sulmet ndodhën derisa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.

Zgjedhjet u shpallën pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues tjerë serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Përfaqësuesit serbë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtuan edhe zgjedhjet, që fillimisht u planifikuan për datën 18 dhjetor.

Për shkak të situatës së tensionuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i shtyu ato për në prill të vitit të ardhshëm.