
Ilustrim
Rama: Parlamenti i Cyrihut miratoi Kërkesën e Komunës së Prishtinës për dhënien e disa kamionëve për mbeturina
Parlamenti i Cyrihut ka miratuar me shumicë votash dhënien e disa kamionëve për mbeturina për Prishtinën.
Kështu ka njoftuar i pari i Kryeqytetit, Përparim Rama.
“Pas kërkesës që e kemi bërë si Komunë, Parlamenti i Cyrihut ka miratuar me shumicë votash dhënien e disa kamionëve për mbeturina për Kryeqytetin. Propozimi erdhi nga Partia Socialdemokrate dhe ajo Liberale.” – ka shkruar Rama, më 04.02.2025.
Ai shkruan se kjo ndihmë është një solidaritet dhe mbështetje, sidomos duke pasur parasysh komunitetin shqiptar që jeton në Zvicër.
“Përkrahja e qytetit të Cyrihut për Prishtinën është një shembull pozitiv i bashkëpunimit ndërmjet qyteteve dhe një konfirmim i vlerave të solidaritetit.” – ka potencuar Rama.
Në një Konferencë për media, të mbajtur më 03.02.2025, kryetari Përparim Rama dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, janë shprehur se gjendja me grumbullim të mbeturinave në Kryeqytet po përkeqesohet. Po ashtu, ata thanë se do të shohin të gjitha rrugët ligjore për të angazhuar sektorin privat si gjendje emergjente dhe ndihmë për “Pastrimin”, e cila, sipas tyre, nuk është në gjendje të plotësojë kërkesat e Komunës.
Ndaj këtij Vendimi ka reaguar Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi”.
Përmes një njoftimi, kjo Kompani pretendoi se “Rama po manipulon me mbeturinat për t’ua dhënë tenderët miqve të tij”.
Sipas tyre, kryetari Rama, deri më 03.02.2025, në orën 09:00, nuk ka dorëzuar as kamionët dhe kontejnerët e blerë dhe as dokumentet e tyre për regjistrim.
Kompania “Pastrimi”: Rama po manipulon me mbeturinat për t’ua dhënë tenderët miqve të tij
Shpallja e një tenderi në vlerë 16.5 milionë euro nga Komuna e Prishtinës për menaxhim të mbeturinave në nëntor 2024 nxiti protesta nga “Pastrimi”, të cilët shfaqën shqetësimin e tyre se ky hap i Komunës do t’i çojë drejt falimentimit.
Derisa ditë më vonë opozita LVV-PDK në Kuvendin Komunal ndryshuan Rregulloren që i mundësonte Komunës angazhim të Kompanive private për menaxhim të situatës me mbeturina, shfuqizimi i kësaj Rregulloreje ndërpreu edhe procedurën për tenderin 16 milionësh për 5 Kompani private.
Kompania “Pastrimi” përkrahet financiarisht nga 7 Komunat e regjionit të Prishtinës, ku ushtron veprimtari.
“Pastrimi” është përballur disa herë me borxhe edhe ndaj Kompanisë për menaxhimin e deponive, KMDK, e cila në vitin 2022 ia kishte ndaluar qasjen në deponinë në Mirash të Obiliqit.
Veprimtaria e Kompanisë “Pastrimi” përfshin regjionin e Prishtinës me Komunat: Prishtinë, Fushë-Kosovë, Obiliq, Lipjan, Podujevë, Drenas dhe Graçanicë. Largimi i Prishtinës si financuese do të shkaktojë jostabilitet, por edhe përgjegjësi shtesë për Komunat e tjera.
Plani për delegim të pastrimit të kryeqytetit edhe te kompani të tjera ‘alarmon’ “Pastrimin”