Rama nga Beogradi: Ballkani i Hapur është bashkëjetesë në paqe

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalimin e tij në panairin e verërave në Beograd ka thënën se është më mirë që rajoni të jetë i bashkuar se sa me shpinë të kthyer nga njeri-tjetri.

Sipas Ramës, Ballkani ka humbur shumë kohë duke u përpjekur të tregoj kush kanë qenë banorët e parë në këtë pjesë.

“Kemi humbur shumë kohë duke u përpjekur që t`i tregojmë njëri tjetrit dhe kush ka qenë i pari, kush është më i vjetri, kush e ka marrë i pari të drejtën që të jetoj në këtë vend, ndërkohë që një gjë e kemi mësuar që asnjë prej nesh nuk do të shkoj dikund tjetër, të gjitha vendet tona janë këtu për të qëndruar edhe pas nesh”- tha Rama.

“Besoj që edhe këtu në këtë panair të nivelit të lartë evropian është e qartë se më mirë se bashku duke afruar njerëzit duke e parë sesa shumë gjëra të përbashkëta sesa ashtu siç kemi qëndruar më parë me kurriz nga njëri tjetri me shumë konflikte dhe luftëra në mes”- shtoi Rama.

Sipas Ramës, Ballkani i Hapur është më tepër sesa ekonomi, tregti dhe shumë më tepër sesa politike, sipas tij ai është një projekt paqe dhe bashkëjetese në paqe.

Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha që organizimi i këtij panairi është një dëshmi sesa mirë mund të funksionoj Ballkani i Hapur.

“Nuk ka asnjë person që është këtu sot e nuk ka buzëqeshje në fytyrë, e kemi bërë këtë së bashku, e kemi arritur këtë së bashku. Sot kemi diçka për të qenë krenar, kemi vërtetuar se mund të jemi pjesë e botës, por në shumë gjëra mund të konkurrojmë në këtë botë dhe mund të jemi më mirë, dhe jam kaq krenar dhe i lumtur që ja dolëm ta bëjmë këtë së bashku”- shtoi ai.

Vuçiq tha se ky panair është një hap i rëndësishëm për prekshmërinë e ideve dhe hapave të tjerë të mëdha në kuadër të Ballkanit të Hapur.

Në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Nisma është iniciuar nga krerët e këtyre shteteve në tetor të vitit 2019. Nisma, që fillimisht është quajtur “Mini-Shengen”, parasheh lëvizje të lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis të tria vendeve.

Derisa, Kosova dhe Bosnje e Hercegovina vazhdojnë të kundërshtojnë të bëhen pjesë e nismës.