Projekti i Bulevardit "Xhorxh Bush", Foto: Komuna e Prishtines

Rama: Në projektin për sheshin 'Xhorxh Bush' synojmë ta përfshijmë edhe sektorin privat

Komuna e Prishtinës ka shpalosur detaje rreth projektit për sheshin ‘Xhorxh Bush’ i cili gjendet te Katedralja “Nënë Tereza”.

Gjatë një konference të thirrur për t’i treguar punët që po i kryen “Arkitekti i Kryeqytetit”, i pari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se për kryerjen sa më të shpejtë të këtij projekti synohet përfshirja edhe e sektorit privat, për faktin se komuna, siç ka deklaruar ai, nuk mund të alokojë mjete në shumë të madhe përnjëherësh.

Ndërsa, arkitekti Gjergj Islami bëri të ditur se i kanë identifikuar tri probleme kyçe për zbatim të këtij projekti.

E njëri prej tyre, sipas tij, ka qenë trafiku i cili tashmë është ndalur.

“Trafiku është ndër problemet më të mëdha që ka Prishtina. Rifunksionalizimi i qendrës do ndihmoj shumë në këtë pjesë. Prishtina ka potencial për zhvillim të qendrës. Tre problemet kryesore janë automjetet. Komuna ka mbyll trafikun në atë pjesë. Problemi i dytë është marrëdhënia me objektet ku ka edhe objekte të trashëgimisë kulturore që nuk kanë marrëdhënie të mirë me publiken. Dhe, problemi i  tretë është cilësia e hapësirës publike, pra dizajni, modeli”- u shpreh ai.

Sipas tij, kanë nisur të ndërtojnë një sistem ku shëtitorja Xhorxh Bush është pjesa kryesore, por ka edhe bashkim në dy krahët.

“Sheshet janë të dedikuara për kategori të ndryshme. Në hartim të këtij projekti, qendra u kthehet qytetarëve. Ne duam një sistem funksional hapësinorë dhe publik. UP do integrohet me qendrën, pasi aty është holli kryesor i jetës dinamike”- shtoi më tej arkitekti.

“Pra, do jenë disa pjesë: Sheshi i Katedrales- lidhja me pjesën tek shkolla fillore- sheshi i koncerteve tek Hotel Grand”- shtoi Islami.

Derisa, kryetari Përparim Rama u shpreh se për kryerje dhe zbatim sa më të shpejtë të këtij projekti që tashmë është në tenderim do shohin edhe mundësinë e Partneritetit Publiko-Privat, ngjashëm si me Parkingun Nëntokësor.

Projekti i Bulevardit “Xhorxh Bush”, Foto: Komuna e Prishtines

“Si pjesë të parë do bëjmë këtë pjesën prej Grand Hotel-it deri te Katedralja. Ndërlidhja e Katedrales me shesh, por edhe elemente tjera që lidhin edhe zonën e Universitetit të Prishtinës, sepse sot nuk ekziston shumë kjo lidhje. Duam të përfshijmë edhe sektorin privat për këtë projekt që të bëhet sa më shpejt”- tha Rama.

Sipas tij, sheshit i cili pritet të zgjatet dhe të lidh edhe Ulpianën i duhet një bulevard i tërë, kështuqë “ndalja e trafikut ndihmon po ashtu që objektet fetare të kenë qetësi e jo tollovi në afërsi”.

“E kemi edhe problemin tash të Xhamisë së Madhe të Posta që është vazhdimësi e këtij sheshi. Na duhet boulevard i tërë që lidh këtë zonë, dhe zgjidh problemet që na i kanë lënë më parë. Edhe Katedralja këtu ka qenë duke u përball me trafik të madh. Pra, ky objekt me karakter shqirtëror është përball me një rrugë me katër korsi, e gjithë atë trafik, ndërsa njerëzit shkojnë për qetësi në këto objekte”- shtoi Rama.

Në pyetjen e Kallxo.com se si do menaxhohet me hyrjen e parkingut nëntokësor  përball Katedrales që në projekt ka qenë të jetë nëntokësore, Rama tha se ashtu edhe është në plan të bëhet si ndërhyrje.

“Një ndër projektet e arkitektit është edhe ajo, tek rruga Bill Clinton është propozuar që të jetë nënkalimi deri te Katedralaja dhe prej aty të bëhet qasja në parkingun nëntokësor. Pra, pjesa lart do lirohet për këmbësorë. Kjo do bëhet pak më vonë, pasi tani kemi punë më shumë në nënkalimin te rruga ‘Agim Ramadani’”- tha Rama.

Ai theksoi se nuk ka nevojë që qytetarët të kenë frikë nga qasja e sektorit privat në këtë projekt.

“Sektori privat është që së bashku të zhvillojmë këto projekte sa më shpejtë. Këtu ka frikë në relacion me këtë dhe kjo gjë duhet të tejkalohet. Si shembull e kemi rastin e Parkingut Nëntokësor që është kryer me partneritet”- tha Rama.