Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama në Budapest: Çka ndodh në SHBA nuk duhet ta shohim si shqetësim për ne

Fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të jetë diçka e mirë për Europën. Këtë bindje e ka shprehur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një prononcimi për media në Samitin e Liderëve të Komunitetit Politik Europian në Budapest të Hungarisë.

“Unë jam kryeministri i Shqipërisë dhe ne jemi një vend i vogël… Shqiptarët janë komuniteti më proeuropian dhe kushdo që vjen në SHBA, nuk përbën problem”- ka thënë Rama.

Kryeministri shqiptar tha se ka pasur shumë ngazëllim, ndoshta jo në rrugën e duhur për rikthimin e mundshëm të Trumpit. Ai përkujtoj se kur Trumpi ishte president në mandatin e parë “të gjithë thanë se NATO-ja do të dobësohet, por ajo u forcua”. 

“Të shohim. SHBA-ja është SHBA, nuk do të thotë se është keq për Europën, ndoshta mund të jetë diçka e mirë për Europën. Çka ndodh në SHBA nuk duhet ta shohim si shqetësim për ne”, ka thënë Rama.

Donald Trump ka premtuar se do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë me premtimin për veprime konkrete për çështjet që përfshijnë, emigrantët, ekonominë dhe luftën në Ukrainë.

Në Samitin në Budapest, Kosova po përfaqësohet nga presidentja, Vjosa Osmani.

Ajo është pritur nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Osmani ka falënderuar Orbanin për mikpritjen në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Budapest, përmes një fotografie me të ku shihen duarshtrënguar.

Në Samitin në Budapest, presidentja Osmani bashkë me liderët e tjerë do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë në Europë të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme, si dhe për sfidat e migracionit dhe ato ekonomike.

Përveç këtyre, siç ka njoftuar Presidenca, Osmani do të marrë pjesë në dy sesionet plenare si dhe do të mbajë dy fjalime: njërin në seancë plenare dhe tjetrin në tryezën punuese për sigurinë ekonomike.

Presidenca ka njoftuar se në kuadër të Samitit, Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë europianë.