Rama mirëpret dakordimin e Kosovës dhe Serbisë: Uroj që askush të mos e akuzojë Kurtin për tradhti

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reguar pas dakordimit të mbrëmshëm mes Kosovës dhe Serbisë për planin evropian për normalizim e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ai deklaron se e mirëpret pëlqimin e dy palëve për marrëveshjen për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Paqja dhe bashkëpunimi janë çelësi për të ardhmen që u detyrohemi fëmijëve tanë në këtë rajon të shkatërruar prej shekujsh nga mungesa e paqes dhe bashkëpunimit. E mirëpres pëlqimin e të dy palëve për Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”- shkruan Rama në twitter.

Rama thotë se ky është një moment historik i rëndësishëm për paqen rajonale dhe ka inkurajuar të dyja vendet që të punojnë për një zbatim sa më të shpejtë.

“Ky është një moment historik i rëndësishëm për paqen rajonale dhe unë inkurajoj fuqimisht të gjitha palët e përfshira që të vazhdojnë të punojnë për një zbatim të shpejtë. Për paqen dhe bashkëpunimin, Shqipëria është dhe do të mbetet një besimtare dhe një model roli. Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje për të kapërcyer të kaluarën”- shton ai.

Më tej, krymeinistri shqiptar ka uruar që askush të mos e akuzojë Kurtin “për tradhëti apo harresë, por gjithkush të kuptojë se kryeministri i sotëm i Kosovës ka bërë gjënë e duhur”.

“Uroj që askush të mos e akuzojë Albin Kurtin për tradhëti apo harresë, por gjithkush të kuptojë se kryeministri i sotëm i Kosovës ka bërë gjënë e duhur, duke u hedhur një hap të parë me shumë rëndësi drejt daljes nga kurthi i të djeshmes. Hapa të tjerë pasofshin pa humbur kohë!”- thekson Rama.

Propozimi, që palëve iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua gjatë takimit të mbrëmshëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Përparimi drejt zbatimit të propozimit, sipas bllokut evropian, do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

BE-ja pret që puna për zbatimin e marrëveshjes të finalizohet para takimit të radhës të Këshillit Evropian, që mbahet më 23-24 mars.