Përparim Rama, kryetari i Prishtinës, Foto: Fioralba Kryemadhi – KALLXO.com

Rama: Me Bankën Botërore jemi në koordinim për subvencionim të zëvendësimit të kaldave të vjetra me të reja

Në konferencën e organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese  – BIRN në kuadër të aktiviteteve për “Ditët e Energjisë së Gjelbër”, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka folur për ndotjen e ajrit në Prishtinë.

Rama ka përmendur disa nga faktorët të cilët ndikojnë në ndotjen e ajrit në Prishtinë.

“Aspekti kyç që ndikon në ndotjen e ajrit në Prishtinë janë makinat dhe kaosi në trafik. Aspekti tjetër është pse shkaktohet kjo tash, kemi një zhvillim të hovshëm urban në zona të ndryshme të reja të kryeqytetit, ku pastaj kemi munges të infrastrukturës shkollore përreth”, ka thënë Rama.

Kryetari i Prishtinës ka bërë të ditur se është duke punuar në një projekt, i cili ka për qëllim zvogëlimin e ndotjes së ajrit.

“Një numër i madh i shtëpive përdorin kalda të vjetra të cilat djegin qymyr ose dru që shkaktojnë ndotje të madhe të ajrit, me Bankën Botërore jemi në koordinim për me i subvencionu të gjitha shtëpitë që përdorin kaldaja të vjetra me i zëvendësu me kaldatë e reja të cilat ecowood, të cilat e zvogëlojnë ndotjen e ajrit deri në 95%”, është shprehur ai.

Rama ka përmendur edhe mundësinë e ndërtimit të shtatë shkollave të reja në kryeqytet, por ka kërkuar nga prindërit që të mos përdorin veturat.

“Ne i kemi në plan t’i ndërtojmë shtatë shkolla. Nëse ndërtohen këto shkolla qytetarët ose prindërit nuk kanë nevojë me i hypë makinës për me marrë fëmijën për me e dërgu në qendër në shkollë dhe mandej aspekti i trafikut zvogëlohet”, ka thënë Rama.

BIRN organizon konferencën e nivelit të lartë për Ditët e Energjisë së Gjelbër 2022

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.