Rama liron nga detyra drejtoreshën Doruntinë Maloku 

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka liruar nga detyra Drejtoreshën e Pronës dhe Kadastrit në këtë Komunë, Doruntinë Maloku. 

Këtë e ka konfirmuar vetë Maloku, përmes një shkrimi në profilin e saj në Facebook, të hënën më 30.12.2024. 

Sipas saj, ky lirim nga detyra vjen pasi që me kërkesë të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është bashkuar Shtabit të LDK-së për Zgjedhjet, që priten të mbahen më 09.02.2024.

Tutje, duke falënderuar Ramën, ajo është shprehur se gjatë këtyre tri vjetëve në krye të Drejtorisë së Pronës, janë kryer punë të rëndësishme për Komunën e Prishtinës. 

“Bashkë me stafin e të dy Drejtorive, kemi bërë punë të jashtëzakonshme në transformimin e Kryeqytetit. Këto dy Drejtori, vetëm gjatë këtij viti, pra, nga 1 janar 2024 deri më 25 dhjetor 2024, kanë arritur të kryejnë mbi 44,000 lëndë – duke shënuar kështu rekord në përfundimin e lëndëve, në masën mbi 99%.” – ka shkruar Maloku. 

Lidhur me këtë, KALLXO.com, ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës, për të marrë më shumë sqarime dhe është në pritje të një një përgjigjeje.