Rama: Lëvizja me letërnjoftime mes Kosovës dhe Serbisë është zgjidhje e Ballkanit të Hapur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se marrëveshja për letërnjoftime mes Kosovës dhe Serbisë, e cila filloi zbatimin dje, është zgjidhje e Ballkanit të Hapur.

Rama nga Beogradi tha që nëse Kosova do t’i bashkohej Ballkanit të Hapur nuk do të kishte pasur nevojë për të gjitha ato takime në Bruksel.

“Dita e djeshme tregoi qartë se cila është rruga dhe zgjedhja e Ballkanit të Hapur, dhe sot dua ta them që edhe zgjidhja e lëvizjes me karta identiteti është një zgjidhje e Ballkanit të Hapur, nuk do të kishte qenë nevoja të shpenzohej e gjithë ajo kohë nëse Kosova të ishte në Ballkanin e Hapur” – tha ai.

Rama tha që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, me vendimin për letërnjoftime ka përcjellë mesazhin se do paqe.

“Dua t’i shpreh respektin tim presidentit të Serbisë, që duke materializuar këtë zgjidhje, ka dhënë një sinjal të qartë që zgjidhja e parë është paqja. Kjo nuk zgjidhë të gjitha ato që mbeten për tu zgjidhur, kjo nuk e bërë çështjen të zgjidhur, por kjo është rruga” – tha Rama duke shtuar se kjo nismë nuk do më justifim.

Tre nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e kanë ideuar këtë koncept në vitin 2019 me qëllim të, siç është thënë, krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa në organizimet e fundit të ‘Ballkanit të Hapur’ ka marrë pjesë edhe kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Kosova refuzon të jetë pjesë e kësaj nisme, sepse sipas Qeverisë së Kosovës duhet të vazhdohet me procesin e Berlinit. Kësaj nisme nuk i janë bashkuar as Mali i Zi e as Bosnje dhe Hercegovina.

Rama nga Beogradi: Ballkani i Hapur është bashkëjetesë në paqe