(Arkiv) Albin Kurti dhe Edi Rama, Foto: Qeveria e Kosovës

Rama: Krim i rëndë dhe akt sabotazhi ndaj Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka quajtur “krim të rëndë” dhe “akt të sabotazhit”, sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok më 29.11.2024.

Rama ka theksuar se ky akt cenon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe siç thotë ai, godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajon.

“Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”- ka shkruar ai në rrjetin social X.

Kryeministri shqiptar i ka bërë thirrje Bashkimit Europian që të heqë “menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë”. Sipas tij, formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara.

“Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së”- theksoi Rama.

 

Një pjesë e kanalit të ujit Ibër-Lepenc në Zubin Potok është dëmtuar më 29.11.2024, si pasojë e një shpërthimi.

Qeveria e Ksoovës ka thënë se ky sulm është i dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024) ku ka folur për këtë shpërthim.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar sot se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkakoti në kanalin e Ibër Lepencit,kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

Ndërsa, për shkak të këtyre zhvillimeve, Presidentja Vjosa Osmani ka anuluar vizitën shtetërore në Brunei të Azisë.

Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e Ibër Lepencit, mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.

Lajm në Zhvillim: Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit