Kryeministri Edi Rama gjatë një deklarate për mediat. Foto: LSA
Rama: Kosova po bën teori konspiracioni për “Open Ballkan”
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sërish ka mbrojtur nismën “Open Balkan”, marrëveshje e arritur mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke e kritikuar Kosovën që nuk po bëhet pjesë e saj.
Në një konferencë të përbashkët në Tiranë me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel Rama ka thënë se Procesi i Berlinit dhe “Open Ballkan” nuk janë në kontradikta mes vete.
Sipas Ramës, Kosova po bën teori konspiracioni për “Open Ballkan”.
“Një nga pengesat për të ecur më shpejt me Procesin e Berlinit ka qenë që Serbia nuk e pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve, sepse kishte paragjykimin që nëse ne fusnim lëvizjen e lirë të njerëzve si një nga elementet, atëherë lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë do të ishte e garantuar. E faktikisht sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet, por rri dhe bën teori konspiracioni për ‘Open Balkan’”, tha ai.
Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se “Open Ballkan” është mekanizëm për ta përshpejtuar Procesin e Berlinit.