Rama kërkon të shtohen trupat e NATO-s në Kosovë: Të garantohet kufiri mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kërkuar trupa shtesë të NATO-s në Kosovë.

Sipas tij kjo do të garantonte sigurinë dhe paprekshmërinë e Kosovës.

Rama këto komente i dha në një konferencë të përbashkët për media me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, presidentin e Kroacisë, kryeministrin e Malit të Zi dhe kryeministrin e Sllovenisë, në Shkup.

“Pavarësisht thirrje të shtuara për të rritur trupat të cilat duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës, ka ndodhur një ngjarje tragjike e cila duhet konsideruar një paralajmërim dhe jo ngjarje sporadike dhe e cila duhet që me çdo kusht mos të përsëritet. Theksova edhe sot në takim, domosdoshmërinë e rritjes të numrit të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin me Kosovës dhe Serbisë”- deklaroi Rama.

Ai shtoi se kufiri mes Kosovës dhe Serbisë është jashtë kontrollit dhe po përdoret për trafik armësh dhe të drogës.

Rama shtoi se rasti i Banjskës nxori në pah rrezikun e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim.

“…dhe domosdoshmërinë për të siguruar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit dhe i cili është në shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikut të armëve, të drogës, të aktiviteteve të cilat pastaj ngatërrohen siç e dimë të gjithë edhe me aktivitetin politik, me sfond ultranacionalisit, që shkakton devijime të rënda siç ishte devijime në Bansjkë, ku humbi jetën një punonjës i policisë së Republikës së Kosovës ë dhe ku qartësisht doli në pah rrezikshmëria e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të një konflikti që ka vetëm një vend për tu trajtuar, në dialogun e BE-së mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar Rama.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë – KFOR, aktualisht ka mbi 4 mijë trupa në Kosovë.