Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në seancën e përbashkët mes Kuvendit të Kosovës e Kuvendit të Shqipërisë, 20.12.2024, Foto: Jetmir Hoxha/KALLXO.com

Rama kërkon që Kosova ta 'ngrijë' pa afat dialogun me Serbinë

Përderisa mes Kosovës dhe Serbisë ekziston një dialog i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrdhënieve mes dy vendeve, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po kërkon nga Qeveria e Kosovës që dialogu të bëhet vetëm përmes BE-së.

Rama tha që normalizimin mes dy vendeve, Kosova duhet ta synojë vetëm përmes dialogut bilateral me BE-në.

“Kosova duhet ta ngrijë, ta ftofi siç thoni ju, pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior duhet ta synojë përmes dialogut biletaral me BE-në, duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke e lidhur kërthizën e reciprocitetit evropianist me BE-në”- tha Rama në fjalën e tij gjatë mbledhjes së dy kuvendeve të dy shteteve, më 20.12.2024.

Ai tha që Kosova mund t’ia japë familjes europiane dhe NATO-s në një kohë të shkurtër provën e padiskutueshme vullnetit dhe përkatësisë së vet në gjirin e Europës së bashkuar dhe të NATO-s duke përmbushur uniliteralisht të gjitha kushtet e normalizimit me Serbinë.

Këtë Rama tha se Kosova duhet ta bëj “jo për hir të Serbisë, por për hir të martirëve dhe fëmijëve të vet” dhe për hir të bashkimit kombëtar në familjen e kombeve europiane me kryeqytet të përbashkët – Brukselin.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.

Prej kur kryeministri kosovar, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u panë për herë të fundit në tavolinën e nivelit të lartë të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel, kanë ndodhur një sërë zhvillimesh politike që pretendohet se e kanë tjetërsuar rrjedhën e dialogut, njëherësh kanë shtuar nevojën për një takim të ri.

Edhe pse herën e fundit kur dialoguan më 14.09.2023, takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit rezultoi pa ndonjë përparim, mungesa e një takimi të ri po cilësohet i domosdoshëm, ndonëse zor i realizueshëm.

Rama po ashtu me zë të lartë u drejtua në seancën e përbashkët mes Kuvendit të Kosovës e atij të Shqipërisë, kur përmendi fatin e ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Rama tha se çuditet që askush në Kuvendin e Kosovës nuk ka nisur një rezolutë kundër Gjykatës Speciale, duke kërkuar që një gjë e tillë të bëhet. Ai tha se do i bashkoheshin kësaj nisme.

Kurse, presidentja Osmani, në fjalimin e saj ua ka bërë me dije dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, se shqiptarët e Luginës së Preshevës i kanë sytë nga nga Kosova dhe Shqipëria.

“Shqiptarët e Luginës i kanë sytë kah na. Bota demokratike nuk po i sheh”- u drejtua Osmani para dy kryeministrave Albin Kurtit e Edi Ramës, ministrave e deputetëve të dy shteteve.

Në seancë i pranishëm është edhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Kjo është hera e dytë që Kuvendet e dy vendeve mbajnë seancë të përbashkët. Herën e kaluar, deputetët u bënë bashkë në ambientet e Kuvendit shqiptar për shënimin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 28.11. 2022.

Ndërsa, mbledhja e përbashkët e dy Qeverive, e planifikuar për 14.06.2023, ishte anuluar njëanshëm nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, një ditë para se mbledhja të mbahej.

Pas këtij vendimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e pati “kushtëzuar” takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive.

Mbledhja e fundit mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është mbajtur më 20.06.2022.