Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rama kërkon nga BE-ja të mos e lërë Ballkanin Perëndimor jashtë planeve për ndihmë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot ka pritur në takim shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Rama në këtë takim ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të mos e lërë Ballkanin Perëndimor jashtë planeve për të mbështetur vendet për përballimin e krizës energjetike apo për përballimin e pasojave të tjera të luftës.

“Fola për domosdoshmërinë që nëse BE do të ketë plan për të mbështetur vendet qoftë për përballimin e krizës energjetike, qoftë për përballimin e pasojave të tjera të luftës, të mos e lërë Ballkanin Perëndimor jashtë siç e lanë kur bënë shpërndarjen e vaksinave”, ka thënë Rma në një konferencë për media.

Rama ka thënë se në takim me Borrell është diskutuar edhe për çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe hapjes së bisedimeve.

“Folëm për çështjen e çeljes së bisedimeve. Kjo është çështje e Komisionit Europian dhe BE. Komisioni Europian ka thënë që duhet të ulet në tryezë, Këshilli Europian nuk ka mundur ta bëjë për shkak të një bllokimi për Maqedoninë e Veriut nga Bullgaria”, ka thënë ai.

Rama ka thënë se Këshilli Evropian po e premton prej kohësh këtë, por nuk po e realizon.

“Sa më parë ta bëjë Këshilli Europian, aq më mirë është se po kalon shumë kohë duke premtuar e duke mos mbajtur premtimet”, ka shtuar Rama.

Po ashtu Rama theksoi se duhet të nxitohet me projektin për “Korridorin 8” që është prej disa kohësh në planin ekonomik të investimeve.

“Korridori 8 bëhet tashmë edhe më strategjik për çështje sigurie” u shpreh Rama.