Rama jep sinjal se bashkë me Vuçiqin dhe Kovaçevskin do ta refuzojnë Samitin e BE-së
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sot pas një takimi virtual që ka pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Në një postim në Twitter, Rama u shpreh se ka diskutuar gjatë me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë për qëndrimet e tyre në lidhje me Samitin e ardhshëm të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor në Bruksel.
“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër “Jo, më fal!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! E çfarë do të bëjmë atje?!”, ka thënë Rama.
Më herët, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, informoi se sot ka realizuar takim të jashtëzakonshëm me Ramën dhe Vuçiqin.
Kovaçevski tha se me Ramën dhe Vuçiqin ka diskutuar për qëndrimet kombëtare të çdo vendi, perspektivat rajonale si dhe për dinamikën e procesit eurointegrues.
“U dakorduam se pas konsultimeve shtesë të brendshme, nesër pasdite ta marrim vendimin tonë përfundimtar për pjesëmarrjen tonë në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor në Bruksel”, tha Kovaçevski.
Gjithashtu, Vuçiqi ka shkruar në Instagram se tre liderët kanë diskutuar dhe pas konsultimeve me qeveritë dhe këshilltarët e aleatët e tyre, nesër pasdite do të marrin vendimin për atë nëse do të marrin pjesë në këtë ngjarje./Telegrafi