
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në seancën e përbashkët mes Kuvendit të Kosovës e Kuvendit të Shqipërisë, 20.12.2024, Foto: Jetmir Hoxha/KALLXO.com
Rama ia përmend Kurtit fjalinë 'trimi i mirë me shokë shumë'
Edi Rama, kryeminstër i Shqipërisë u shpreh se do të ishte shumë mirë, nëse edhe Kosova njëjtë si Shqipëria do të ecte me hapat e Shqipërisë në marrdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Këto ishin ndër fjalët e para që tha kryeministri Rama në seancën e përbashkët mes Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, përderisa në anën e tij të djathtë pati kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Kështu deklaroi Rama duke cituar fjalët e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova rreth 20 vite më parë.
“Plot 20 vjet më parë në vitin 2004, presidenti gjithnjë më i pranishëm me mungesën e tij në jetën politike, tha diçka edhe për ne sot, duke na kujtuar se “objektivat e përbashkëta të Kosovës e të Shqipërisë janë integrimi në BE, NATO dhe miqësi të përhershme me SHBA-në”.
“E themi me bindje të plotë se shqiptarët në përgjithësi janë në rrugë të progresit, janë populli më dinamik në këtë pjesë të botës dhe kanë shansin historik të hyjnë në familjen e madhe europiane”- shtoi Rama.
Në një vijë mendimi, Rama tha se këtë mundësi, Kosova mund ta shfrytëzojë vetëm si “trimi i mirë me shokë shumë”.
“Dëshira ime e zjarrtë, e patregueshme me fjalë është që të mos jemi njëri në tryezën e negociatave me Bashkimin Europian e tjetri në listën e sanksioneve të BE-së”- tha Rama para të pranishmëve.
Rama tha se gjatë Samitit BE- Ballkani Perëndimor, ka lobuar së bashku me presidenten Vjosa Osmani, që masat ndaj Kosovës të hiqen sa më parë.
Kurse, presidentja Osmani, në fjalimin e saj ua ka bërë me dije dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, se shqiptarët e Luginës së Preshevës i kanë sytë nga nga Kosova dhe Shqipëria.
“Shqiptarët e Luginës i kanë sytë kah na. Bota demokratike nuk po i sheh”- u drejtua Osmani para dy kryeministrave Albin Kurtit e Edi Ramës, ministrave e deputetëve të dy shteteve.
Në seancë i pranishëm është edhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Kjo është hera e dytë që Kuvendet e dy vendeve mbajnë seancë të përbashkët. Herën e kaluar, deputetët u bënë bashkë në ambientet e Kuvendit shqiptar për shënimin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 28.11. 2022.
Ndërsa, mbledhja e përbashkët e dy Qeverive, e planifikuar për 14.06.2023, ishte anuluar njëanshëm nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, një ditë para se mbledhja të mbahej.
Pas këtij vendimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e pati ‘kushtëzuar’ takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive.
Mbledhja e fundit mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është mbajtur më 20.06.2022.