Ramush Haradinaj e Edi Rama - Foto: REL/AP

Rama: Haradinaj i paditur klasik, gënjen nga padija apo qëllimisht nuk e di

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot replikoi ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili deklaroi se minishengeni ka qëllim heqjen e taksës 100%.

“Një ndërhyrje prej një të padituri klasik që merret llokum e më pas mbllaqitet mediatikisht. Si bëhet kjo?! Më thoni mua si?! Nuk ka asnjë nyje detyruese kjo marrëveshje.Zoti Haradinaj është një gënjeshtar që ka gënjyer përsëri, gënjen nga padija  apo qëllimisht nuk kam arritur ta zbuloj as nuk kam ndërmend ta zbuloj por e vërteta është se ai është gënjeshtar. Nuk ka asnjë kusht dhe asnjë detyrim. Kjo nismë ka thjesht një qëllim të zbatojë marrëveshjet e bëra më parë mes të gjitha vendeve, dhe unë dua që në këtë proces të fusim element të tjerë si ajo që ka të bëjë me zhbllokimin e ngërçit për energjinë. Po si zhbllokohet? Me facebook?! Me sharje me mbyllje? Nuk di. Kjo është gënjeshtër nuk ka asnjë lloj detyrimi në këtë aspekt.”, u shpreh Rama, shkruan Ora News.

Haradinaj rreth asaj se takimi po mbahet në Tiranë tha se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është vëllai i tij, por që tha se nuk ka pasur rrugë pa dal kundër ndarjes së Kosovës.

Rreth deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se nëse kryeministri Haradinaj do të dëgjonte presidentin francez, Emmanuel Macron për të hequr taksën tash Kosova do të kishte liberalizim të vizave, Haradinaj tha se nëse i dhimbsen kosovarët, Edi Rama të largojë taksën e vendosur në rrugën e kombit.

“Pasi Ramës po i dhimben kosovarët t’ua heq qatë taksën e Kukësit dhe atëherë i kishim besua edhe në të tjera”, tha ai.

Kujtojmë që, sot në Tiranë po mbahet takimi i tretë i vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të diskutojnë projektin e “MiniShengenit Ballkanik”.

Në këtë takim në Tiranë po marrin pjesë liderët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, ndërsa mungon Kosova e ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në këtë takim, shkruan Ora News.