Rama gjatë mbledhjes së Qeverive: Sfida e përbashkët është që të rrisim zbatueshmërinë e marrëveshjeve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Kosovës ka thënë se sfida e përbashkët është që të rrisin zbatueshmërinë e marrëveshjeve.

“Sot mblidhemi pas një viti sfidues për shkak të pandemisë, por edhe pasi kemi arritur sidoqoftë kemi një numër të konsiderueshëm gjërash që janë diskutuar dhe janë vënë në vijë. Kemi një numër të konsiderueshëm marrëveshjes që kemi thënë dhe një pjesë janë në rrugën e zbatimit dhe një pjesë tjetër janë zbatuar. Sfida e përbashkët është që të rrisim zbatueshmërinë e marrëveshjeve dhe të realizojmë një sinergji të plotë mes të dyja shteteve të në të gjitha fushat”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar ka shtuar se i vjen mirë që sot angazhohen bashkërisht për heqjen e  lejeve të qëndrimit të përkohshëm, për hapjen e pikës kufitare të përbashkët në Shishtavec të Kukësit dhe për rregullimin e regjimit të trafikut lokal të kufirit.

Rama shtoi se një marrëveshje tjetër u mundëson të diplomuarve nga të dyja vendet që të kenë njohje reciproke automatike të diplomave, shumë shpejtë.

Kosova dhe Shqipëria, për të shtatën herë me radhë kanë nisur mbledhjen e përbashkët ndërmjet të dy qeverive.

Mbledhja po mbahet në qytetin e Elbasanit në Shqipëri.