Rama flet për të paraburgosurit në Hagë: Do t’i drejtohem Gjykatës së Strasbourg

Vizitën e në Kosovë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e nisi një ditë më parë. Një nga destinacionet e tij të shumta gjatë ditës së djeshme ishte edhe fshati Burojë.

Në këtë fshat, Edi Rama u ndal për ta takuar familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi, që momentalisht është në paraburgim në Hagë.

Familjes Thaçi, Edi Rama u tregoi për vizitën e para disa javëve që i kishte bërë Hashim Thaçin.

Ndërsa në konferencën e sotme të përbashkët mes Kurtit e Ramës, ky i fundit iu rikthye përsëri Hagës, duke thënë që në në shtator të këtij viti do t’i drejtohet Këshillit të Evropës, në Strasburg në lidhje me të arrestuarit nga Kosova që janë në paraburgim në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Sipas tij, është shqetësuese mbajtja në paraburgim e tyre pa pasur fakte në lidhje me raportin e Dick Marty.

“Ne jemi duke përgatitur një rezolutë, unë personalisht do të shkoj në Strasburg për t’iu drejtuar Këshillit të Evropës për një fakt që bëhet gjithmonë e më shqetësuese që është pabazueshmëria totale e raportit të Dick Marty dhe influenca ruse mbi përrallën e një shtëpie të verdhë, duke pas parasysh që akuzat për trafikim janë të përsëritura dhe në kontekste të tjera nga propaganda ruse. Nuk ka asnjë fakt të lidhur në raportin e Marty-it e që pikërisht për shkak të atij raporti u morë e gjithë rruga për Gjykatën Speciale’, tha ai.

Ndërkaq, Kryeministri Albin Kurti tha se sonte pritet të takohet me kryeparlamentarin, Glakuk Konjufca i cili është kthyer nga vizita në Hagë.

“Unë e kam parë më të arsyeshme që të takoj avokatët e të burgosurve që u është stërzgjatur paraburgimi tash e një vit e gjysmë. Unë nuk kam arritur të takoj krye parlamentarin Konjufca i cili ka zhvilluar vizitë atje, dhe këtë do ta bëjë jo më larg se sonte”, tha Kurti.

Sot, është mbajtur mbledhja e tetë e përbashkët e të dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë në të cilën u nënshkruan gjithsej 19 marrëveshje, memorandume e protokolle.