Rama flet para samitit: Serbia do të marrë pjesë, e kundërta do të ishte katastrofë për Vuçiqin

Në prag të samitit të liderëve europianë dhe atyre të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, kryeministri Edi Rama mbajti një konferencë për mediat.

Ai u shpreh se kryeqyteti nuk u zgjodh rastësisht vendi ku do të mbahet samiti. Sipas tij 6 dhjetori është një datë historike për Shqipërinë.

“Modestisht duhet ta them që kemi luajtur rolin tonë për të ardhur në këtë kthesë dhe kemi dhënë një sërë provash se jemi gati për t’u vlerësuar dhe konsideruar ndryshe dhe këtu kam parasysh jo thjesht Shqipërinë, por Ballkanin Perëndimor në tërësi,” u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se po përgatiten për samitin, për të luajtur përsëri rolin si Shqipëri dhe si rajon, shkruan euronews.

“Bashkimi Europian nuk është një strukturë, nuk është një institucion, nuk është një forcë që reagon si i forti i lagjes, përkundrazi, rëndësi ka të kesh të drejtë dhe të dish ta përcjellësh mesazhin mbi atë që të takon në mënyrë të kuptueshme, të qartë dhe të drejtë dhe padiskutim që zëri yt herët ose vonë, por në këtë rast më herët sesa vonë u dëgjua,” tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë tha se Serbia do të jetë pjesë e samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tiranë.

Rama u përgjigj edhe lidhur me deklaratën e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili tha se Serbia nuk do të vijë jetë në samitin.

“Nuk emocionohem nga deklarata të politikanëve vendas apo të huaj që bëhen për qëllime të tyre politike. Serbia do të jetë në samit dhe presidenti i Serbisë nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse të vijë në samit, këtë ua them me bindje. E kundërta do të ishte katastrofë për Serbinë dhe atë vetë”, tha Rama.

Disa ditë më parë presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor për shkak të, siç tha ai, reagimit “të turpshëm” të BE-së për emërimin e Nenad Rashiçit si ministër në Qeverinë e Kosovës/Telegrafi