Ilustrim

Rama: Është kapur dhe është dërguar në mbajtje qeni që sulmoi mjekët në QKUK

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se është kapur qeni i cili kishte sulmuar dje tre mjekë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Rama ka thënë se qeni nuk ishte i trajtuar me procedurat e nevojshme.

“Më vjen keq për rastin e kohës së fundit me mjekët në QKUK. Është zënë qeni dhe e kemi parë që nuk ka qenë i trajtuar. Domethënë ka ardhur nga diku. Ai tani është në mbajtje dhe do të trajtohet në bazë të proceseve ligjore dhe do të trajtohet si i tillë. Jemi duke bërë çdo gjë për ta zgjidhur problemin e qenve endacakë”, ka thënë Rama.

Ai tha se ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për qentë endacakë dhe se javën tjetër do thërrasin një konferencë të nivelit lokal dhe qendror.

“Po ashtu e kemi shpallë gjendje të jashtëzakonshme në kryeqytet në relacion me problemin me qentë. Në javën e ardhshme do të thërrasim një konferencë tjetër të nivelit lokal po ashtu edhe të nivelit qendror sepse siç kam cekur edhe më herët problemi  i qenve endacak duhet të shqyrtohet rajoni në tërë Kosovën e më gjerë”, ka deklaruar Rama.

I pari i kryeqytetit gjithashtu tha se janë në koordinim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për të gjetur një zgjidhje.

Ministri i MMPHI-së, Liburn Aliu, ka thënë se do të shikohen mundësitë e zgjidhjes së çështjes me qentë endacakë dhe se në mbështetje të Komunës së Prishtinës do të bëjnë një zgjidhje.

“Ministria e Mjedisit, si ministri e linjës kur ka vendime të Kuvendit Komunal e jep atë pjesën e vet të punës në kuadër të procesit të shikimit të vendimit të Kuvendit që shqyrtohet ligjshmëria dhe është proces i ndarë prej punës së ministrit. Çështjet e lokacionit do të shikohet mundësitë se si do të zgjidhen për çështjen e qenve endacak. Jashtëzakonisht është problem i rëndësishëm dhe do të bëjmë përpjekje të bëjmë zgjidhje si ministri në mbështetje të komunës së Prishtinës që të bëjë këtë zgjidhje”, ka deklaruar Aliu.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), dje kishte njoftuar se në 24 orët e fundit janë sulmuar tre mjekë nga qentë endacakë.

Sipas ShSKUK-së, dy nga këta mjekë janë sulmuar në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe një jashtë QKUK-së.

Në njoftim thuhej se tre mjekët kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor.

Në një bisedë telefonike, Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla kishte konfirmuar se njëri nga mjekët si pasojë e sulmit ka pësuar lëndime të rënda trupore.

ShSKUK: Tre mjekë u sulmuan nga qentë endacakë