Rama drekë pune me Kurtin, flasin për asociacionin 'që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb'

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka zhvilluar një drekë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti me të cilin kanë diskutuar për ecurinë e mëtejme të marrëveshjes së Ohrit.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se me Kurtin janë dakorduar që mbledhja e ardhshme e përbashkët e dy qeverive të mbhet në qershor.

“I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”- ka shkruar Rama.

“E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”- ka theksuar ai.

Kurti sot në Shqipëri ka takuar edhe presidentin Bajram Begaj e kryekuvendaren Lindita Nikolla, edhe këta dy i ka informuar për marrëveshjen e Ohrit.

Më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë arritur dakordim për ankesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian.

Kurti informon Begajn për marrëveshjen e Ohrit