Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rama bën sërish thirrje për t'iu bashkuar nismës 'Ballkani i Hapur'

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka thënë se nisma Ballkani i Hapur do të vazhdojë dhe se janë të hapur për të gjitha vendet që të vijnë të ulen dhe të vazhdojnë të punojnë për ato gjëra që mund të bien dakord.

Duke aluduar në dialogun Kosovë-Serbi, Rama tha se nuk arrihet te paqja përfundimtare dhe te zgjidhja e gjithë konflikteve duke mos u ballafaquar në tavolinë për ta filluar nga gjërat më të thjeshta që mund të zgjidhen më lehtë.

“Historia na ka mësuar që nuk arrihet te paqja përfundimtare dhe te zgjidhja e gjithë konflikteve duke mos u ballafaquar në tavolinë për ta filluar nga gjërat më të thjeshta që mund të zgjidhen më kollaj dhe për të bërë ato bashkëpunime që janë të rëndësishme për njerëzit në jetën e tyre të përditshme. Nuk mund të mbahen njerëzit pengje të lëvizjes nga katër anët sepse duhet të arrijmë paqen përfundimtare pastaj të fillojmë të lëvizim”, shtoi Rama.

Nisma “Open Balkan” është një iniciativë e nisur nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, e cila me herët njihej si “Mini-Shengeni Ballkanik”, që thuhet se në fokus ka zhvillimin ekonomik dhe lëvizjen e lirë mes vendeve të rajonit.

Por pjesë e saj nuk kanë pranuar të jenë Kosova, Mali i Zi dhe as Bosnje dhe Hercegovina. Kryeministri shqiptar, Rama vazhdimisht kanë bërë thirrje që këto vende të bëhen pjesë e kësaj nisme.

Nga Qeveria e Kosovës refuzojnë që të bëhen pjesë e “Open Balkan”, pasi kjo është quajtur iniciativë e rrezikshme.

Rama ka shtuar se Procesi i Berlinit që është themeli i Ballkanit të Hapur që “nuk mund ta implementojë as kancelaria gjermane, as presidenca franceze as Bashkimi Evropian në Bruksel, duhet ta implementojmë ne këtu qeveritë këtu. Prandaj është krijuar Ballkani i Hapur dhe Ballkani i Hapur do të vazhdojë dhe ne jemi të hapur për të gjitha vendet që të vijnë të ulen dhe të vazhdojmë të punojmë për ato gjëra që mund të biem dakord”.

Rama tregoi që Gjermania nuk është kundër Ballkanit të Hapur, por kërkon që procesi të jetë gjithëpërfshirës.

“Dje isha në Berlin dhe kemi pas takime me gjitha partitë politike në Bundestag plus edhe me ministren e Jashtme. Miti që është krijuar që Gjermania është kundër Ballkanit të Hapur është një ushqim për konsum lokal. Gjermania nuk është kundër Ballkanit të Hapur por, Gjermania kërkon që Ballkani i Hapur të jetë gjithëpërfshirës janë dy gjëra të ndryshme këtë e tha edhe presidenti që të gjithë janë të inkurajuar të gjithë përfshihen”, tha ai.

Edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel të premten në konferencë të përbashkët me kryeministrin Rama në Tiranë, është deklaruar se e mbështet nismën e “Ballkanit të Hapur”.

Michel shpreson që kësaj nisme t’i bashkohn edhe vendet e tjera të cilat nuk janë pjesë e iniciativës.

“Për Ballkanin e Hapur, më lejoni ta përsëris, unë personalisht e mbështes, Ballaknin e Hapur dhe uroj që të gjithë t’i bashkohen kësaj nisme sepse sa më shumë që të jenë do të jenë më të mëdha aftësitë për të bashkëpunuar për të forcu strukturat ekonomike, politike. Kjo do ta lehtësoj afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evriopian”, tha Michel.