Rama: BE do dërgojë 145 mijë doza të vaksinës Pfizer në Shqipëri

Bashkimi Evropian do t’i ofrojë Shqipërisë 145 mijë doza të vaksinës Pfizer.

Kështu ka bërë të ditur Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Rama ka njoftuar se këto doza do jenë pjesë e kontratës së Bashkimit Evropian me gjashtë vende të rajonit për shpërndarjen e 651 mijë vaksinave.

Rama madje ka kërkuar nga analistët politik që mos të nxitohen kur gjykojnë qëndrimet e tij si kryeministër evropian.

“Shqipëria siguron dozën e dytë më të madhe nga kontrata e Bashkimit Europian me 6 vendet e rajonit për vaksinat Pfizer që BE do të shpërndajë në rajon. Plot 145 mijë vaksina nga 651 mijë gjithsej për Ballkanin Perëndimor, do t’i marrë Shqipëria, kështu që herë tjetër mos të nxitohen analistët gjithologë dhe politikanët llogjellogë, kur gjykojnë qëndrimet e mia si kryeministër europian ndaj BE, në emër të popullit shqiptar”, ka njoftuar Rama.

Kryeministri Rama ka falënderuar Komisionin Evropian për ndihmën dhënë Shqipërisë.

Kosova po ashtu do përfitojë me 95 mijë doza të kësaj vaksine nga maji deri në gusht të këtij viti.

BE: 95,000 vaksina anti-COVID do të arrijnë në Kosovë nga muaji maj – deri në fund të gushtit