Rama: Basha e Berisha dje ishin gati të sakrifikonin njerëz për 'kështjellën'

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se protesta e ditës së djeshme mund të kishte degjeneruar deri në gjakderdhje.

Rama në një komunikim virtual me qytetarët, tha se Lulzim Basha dhe Sali Berisha ishin gati të sakrifikonin njerëz.

“Dje ajo shfaqje mesjetare në mes të Tiranës, me një palë brenda të karikuar me një sistem fortifikimi, dhe një ushtri jashtë e karikuar për të sulmuar me çekiçë, shkallë, varre, mund të kishte degjeneruar në gjakderdhje, në diçka të pangushëllueshme për PD, për demokratët, por edhe për shoqërinë tonë. Si njëri, dhe tjetri, të dyja kufomat politike që e kanë marrë peng atë parti, për fat të keq ishin papërgjegjshmërisht të gatshëm për marrjen e kështjellës me gjakun e demokratëve. Që të dy ishin gati të sakrifikonin njerëz për të mbajtur kështjellën.

Protesta e 8 janarit u thirr nga ish-kreu i PD-së, Berisha për të marrë kontrollin e selisë së partisë. Ai ka argumentuar se lideri i PD-së, Lulzim Basha është “shkarkuar” nga ky post, përmes një referendumi brendapartiak të zhvilluar dhjetorin e vitit të kaluar. Këtë referendum e kishte iniciuar nga Berisha.

Protesta u mbyll mbi tri orë pas fillimit të saj, teksa Berisha paralajmëroi se nuk do të heqë dorë nga qëllimet e tij për të marrë kontrollin e selisë së PD-së./Oranews