Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq (29.09.2021), Foto: KALLXO.com

Rakiq: Vuçiq mendon se do të ishte mirë të hiqen barrikadat

Medium serb Kossev ka raportuar se Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka pasur një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Siç raporton ky medium, Rakiq ka thënë se Vuçiq është i mendimit se do të ishte mirë që të hiqen barrikadat.

“Ne morëm lajme të rëndësishme në lidhje me lirimin e Pantiqit, Nedelkoviqit dhe personave të tjerë të arrestuar” – citohet të ketë thënë Rakiq.

Tutje është thënë se kryetari i LS-së ka thënë se “kanë lexuar garancitë e BE-së dhe SHBA-së se nuk do të ketë arrestime të personave që marrin pjesë në protestat paqësore të shkaktuara nga terrori i Kurtit”.

Po ashtu Rakiq citohet të ketë thënë se nuk i besojnë Qeverisë së Kurtit.

“Mund të them se nuk besojmë as në garancitë ndërkombëtare. Ftojmë presidentin Vuçiq të dëgjojë përfaqësuesit e popullit në barrikada. Ne do të vijmë tek ai me kërkesa të sakta. Ne i besojmë vetëm atij” – thuhet të ketë thënë udhëheqësi i Listës Serbe.

Qe 19 ditë ka filluar vendosja e barrikadave në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Tashmë një nga kërkesat e serbëve për largimin e barrikadave që kanë bllokuar rrugët për qarkullim është plotësuar.

Sot nga ana e institucioneve përgjegjëse është marrë një vendim i ri për Dejan Pantiqin, ish-zyrtari policor i cili ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për sulm me mjete shpërthyese në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Atij i është ndryshuar masa e sigurisë nga ajo e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak.

Ishte kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ai i cili kishte thënë se lirimi i serbëve të arrestuar, dhe disa kërkesa të tjera, janë kushtet për largimin e barrikadave.

Këto kërkesa i ishin drejtuar shefit të ekzekutivit të Kosovës, kryeministrit Albin Kurti, i cili sot u shpreh kureshtar të dijë se cili është prokurori që e ka bërë kërkesën për arrest shtëpiak për Pantiq dhe gjyqtari që e ka aprovuar të njëjtën kërkesë.

“Pra është gjyqtari i procedurës paraprake me rastin e kërkesës së përkatësit të prokurorit, mirëpo kur ke një akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak unë jam shumë kureshtar ta shoh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon” – shtoi Kurti.

Kësaj deklarate të Kurtit iu është përgjigjur Këshilli Gjyqësor i Kosovës, duke thënë se sistemi i drejtësisë duhet të jetë i pavarur.

Ekipi i KALLXO.com është duke qëndruar në veriun e Kosovës. Prezentë duke e monitoruar situatën kanë qenë edhe ekipe të EULEX-it e të KFOR-it, përderisa ekipet e Policisë së Kosovës janë duke vazhduar të qëndrojnë në pikat e tyre.

Lidhur me vendimin për Pantiqin ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e ka quajtur këtë veprim si aktin më të rëndë që mund t’i bëhej vendit nga institucionet që do të duhej të ishin shembulli më i mirë i mbrojtjes së qytetarëve dhe rendit kushtetues.

E në anën tjetër ndyshimi i masës ndaj Pantiqit është pritur mirë nga ndërkombarët.

Raportuesja për Kosovën për Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka e ka mirëpritur këtë vendim duke thënë kjo duhet të çojë në heqjen e menjëhershme të barrikadave.

Në anën tjetër, natën e 27 dhjetorit u vendosën edhe dy barrikada të reja. Njëra nga këto barrikada është vendosur në hyrje të qytetit të Mitrovicës së Veriut, tek udhëkryqi i shkollës teknike në Lagjen e Boshnjakëve, ndërsa tjera është vendosur te vendi i quajtur “Kërshi i Dudit” në Zveçan.

Që nga 10 dhjetori janë vendosur barrikadat në veri si pakënaqësi ndaj arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiq, i cili ishte arrestuar nën dyshimin e organizimi të sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor më 6 dhjetor 2022.

Që para fillimit të vendosjes së barrikadave, janë regjistruar disa incidente me shok-bomba e granata dore, sulme ndaj ekipeve të gazetarëve, patrullës së EULEX-it, gjuajtje me armë në afërsi të ekipit së KFOR-it dhe po ashtu një polic i Kosovës është plagosur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se KFOR-i ka kërkuar kohë për largimin e barrikadave derisa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përsëritur disa herë se Kosova ka kapacitete për largimin e barrikadave.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pasur një kërkesë tjetër. Ai ka theksuar se barrikadat do të largohen nëse formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.