Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq (29.09.2021), Foto: KALLXO.com

Rakiq: Situata në Zubin Potok është absolutisht e qetë

Lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka reaguar në lidhje me raportimet për të shtëna me armë zjarri në afërsi të një patrulle të KFOR-it afër Zubin Potokut.

Sipas Rakiqit, situata aktuale në Zubin Potok është absolutisht e qetë dhe njerëzit janë në barrikada dhe janë të vendosur të qëndrojnë.

Në televizionin “Pink”, Rakiq ka mohuar pretendimet se serbët kanë qëlluar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

“Informacionet tona nga terreni thonë se nuk ka pasur asnjë sulm ndaj KFOR-it. Serbët në veri i respektojnë pjesëtarët e KFOR-it, të cilët janë aty në përputhje me Rezolutën 1244” – ka thënë Rakiq.

Pak minuta më parë, KFOR ka reaguar duke thënë se gjatë një patrullimi në afërsi të Zubin Potokut pjesëtarët e misionit kanë dëgjuar dhe parë të shtëna me armë zjarri porse askush nuk është lënduar dhe as automjeti i tyre nuk është dëmtuar.

Ndërsa, Policia e Kosovës ka përgënjeshtruar lajmet e mediave serbe se policët kanë gjuajtur me armë zjarri.