Rakiq kërkon zbatimin e marrëveshjeve në Bruksel, thotë që janë të detyrueshme

Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili është edhe ministër në Qeverinë Kurti ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, gjatë një takimi me përfaqësueses të Këshillit të Evropës.

“Marrëveshjet nga Brukseli duhet të zbatohen, sepse janë të nënshkruara, janë të detyrueshme për të gjithë, dhe sepse vetëm kështu mund të arrijmë kushte më të mira jetese dhe të ndërtojmë besimin e ndërsjellë që na duhet sot. Serbët, veçanërisht në veri, janë bërë pjesë e institucioneve të Kosovës, pasi me marrëveshjen e Brukselit garantohet formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, si institucion ombrellë i popullit serb, i cili do të mbrojë të drejtat kolektive dhe individuale të popullit tonë”, citohet të ketë thënë Rakiq, në një njoftim në Facebook të Listës Serbe.

Po ashtu është përmendur edhe aksioni anti-kontrabandë i Policisë së Kosovës, për të cilin kanë thënë se ishte i njëanshëm dhe i rrezikshëm për qytetarët serb.

“U theksua se Lista Serbe, mbështet dialogun si mënyrë për zgjidhjen e të gjitha problemeve dhe çështjeve të hapura, sepse dialogu është mënyra e vetme dhe vendi ku mund të zgjidhen këto çështje. Po ashtu kërkon nga të gjithë, veçanërisht nga BE-ja që të bëjë gjithçka, për ta vazhduar dialogun dhe me qëllim të zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri tash”, thuhet tutje aty.

Pas marrëveshjes së vitit 2013, Kosova dhe Serbia në Bruksel në vitin 2015, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.