Ukrainë, Foto: VOA

Raketa ruse godet klinikën mjekësore në Ukrainë

Një person ka vdekur dhe 15 të tjerë janë plagosur në një sulm me raketa në një spital në Dnipro, në lindje të Ukrainës, raporton BBC.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi sulmin dhe tha se autoritetet po punojnë për të shpëtuar të tjerët nga spitali.

Më herët, guvernatori rajonal, Serhiy Lysak, tha se qyteti ishte sulmuar nga raketa dhe dronë.

Zelensky postoi një video të ndërtesës së dëmtuar ku shiheshin zjarrfikësit në vendngjarje dhe tymin që dilte nga ndërtesa.

“Terroristët rusë konfirmojnë edhe një herë statusin e tyre të luftëtarëve kundër çdo gjëje njerëzore dhe të ndershme”-tha ai.

Autoritetet ukrainase thanë se kanë rrëzuar 17 raketa dhe 31 dronë të lëshuar nga Rusia gjatë natës.

Disa dronë dhe raketa goditën objektivat në qytetet lindore të Dnipro dhe Kharkiv, përfshirë një depo nafte.