Dr. Lul Raka

Raka: Tubimet e partive, kërcënim i shëndetit publik

Për rrezikun e përhapjes së coronavirusit si pasojë e tubimeve parazgjedhore të partive politike reagoi sërish mikrobiologu Lul Raka.

Në emisionin “Për ditë të mbarë” të RTV 21, Raka tha se grumbullimi i qytetarëve nëpër tubime të partive dhe në hapësira të mbyllura është i papranueshëm dhe kërcënim i shëndetit publik.

“Rrethanat e kohëve të fundit na bëjnë që të jemi të shqetësuar edhe kjo lidhet drejtpërdrejt me fushatën zgjedhore dhe parazgjedhore. Fatkeqësisht e kemi pa se spektri politik në Kosovë, nuk i ka respektu fare masat parandaluese, duke e kërcënu shëndetin publik dhe individual të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Raka ka përmendur edhe variantin e ri të COVID-19, duke thënë se shumë shpejt mund të jetë dominant në Kosovë dhe ka shpejtësi të madhe të përhapjes.

“Përveç kërcënimit të shëndetit publik, po ashtu çon edhe një mesazh negativ te popullata e Kosovës, sepse përçon njëfar revolte. Duhet që, ata që po i shkelin në radhë të parë, liderët politik duhet të jenë të parët që prijnë në zbatimin e masave parandaluese, jo shkeljen e tyre”, ka thënë Raka/21Media/.