Dr. Lul Raka

Raka: Pas lirimit të masave, e pritshme rritja e numrit të rasteve me COVID-19 në Kosovë

Profesori i Mikrobiologjisë dhe Kontrollit të Infeksioneve në Universitetin e Prishtinës, Lul Raka ka thënë se rritja e numrit të rasteve me COVID-19 në Kosovë, pas lirimit të masave është e pritshme.

Sipas tij, numri i rasteve do të jetë në korrelacion me zbatimin e masave parandaluese nga secili qytetar i Kosovës.

“Virusi është ende këndej pari dhe do të shfrytëzojë çdo pakujdesi tonën”, ka shkruar ai në Facebook.

“Jemi në muajin e tretë të përballjes me COVID-19. Rezultatet e deritashme të menaxhimit të suksesshëm të kësaj pandemie kanë qenë kryekëput fryt i vetëdijesimit dhe përgjigjes suaj ndaj këshillave të MSH, IKSHPK dhe profesionistëve shëndetësorë”, thuhet në publikimin e tij.

Deri më tani në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare janë konfirmuar 1,234 të infektuar, janë shëruar 890 pacientë dhe 31 kanë vdekur.

Sipas Rakës, këshillat i dijmë tashmë të gjithë, por ato janë për t’u zbatuar në praktikë:

  1. Mbani distancën fizike gjatë tërë kohës. Kjo është komponenta kryesore në parandalim!
  2. Në vendet ku nuk mund të mbahet distancë (autobus, qendra tregëtare, vende të mbipopulluara me njerëz), vendosni maskat ose mburojat e fytyrës!
  3. Shmangni qëndrimin në brendi të lokaleve që janë përplot me njerëz. Mundësisht, qëndroni në terasa të këtyre lokaleve!
  4. Vazhdoni me higjienën e duarve!